SHBA - Shqipëria do të japë kontributin e saj në përballimin e krizës së refugjatëve. Këtë garanci e ka dhënë kryetari i Kuvendit, Ilir Meta gjatë takimeve që ka zhvilluar me kongresmenë amerikanë.

Meta u takua me Kryetarin e Komisionit të Ligjeve dhe Procedurave në Kongres, Pette Sessions, me të cilin u diskutuan çështje të bashkëpunimit mes dy institucioneve, rritja e shkëmbimeve parlamentare dhe ofrimi i ekspertizës së Kongresit Amerikan përmes Librarisë së Kongresit për çështje të hartimit të ligjeve dhe zbatimit të kushtetutshmërisë, marrja e eksperiencës për shërbimet e Kuvendit dhe rritja e transparencës së veprimtarisë parlamentare.

Në këtë takimi u diskutua edhe mbi reformat e rëndësishme që po ndërmerren në vend, veçanërisht ajo në fushën e drejtësisë. Gjithashtu, u shkëmbyen edhe mendime mbi çështje të rëndësishme të sigurisë si situata në Lindjen e Mesme dhe Mesdhe, kriza e refugjatëve, situata në rajon dhe u theksua roli i Shqipërisë si një faktor paqeje dhe stabiliteti, si dhe angazhimi i Shqipërisë për të dhënë kontributin e saj në përballimin e krizës së refugjatëve.

Kryetari i Kuvendit, u prit në takim edhe nga Kryetari i Komisionit të Jashtëm në Kongres, Ed Royce, me të cilin u bisedua për çështje të politikes së jashtme dhe të sigurisë, roli i Shqipërisë në NATO dhe kontributi në misionet paqeruajtëse, roli i Shqipërisë në rajon si një faktor i rëndësishëm për paqen dhe stabilitetin, roli i shqiptarëve në rajon për rritjen e komunikimit mes vendeve dhe perspektiva e integrimit. Në takim u diskutua dhe për çështje të tjera, si lufta ndaj krimit të organizuar dhe korrupsionit dhe masat që po ndërmerr Shqipëria në këtë drejtim.

Më tej, gjatë vizitës Meta u prit nga Kryetari i Nënkomisionit për Evropën në Kongres, Dana Rohrabacher, me të cilin u diskutua për çështje të bashkëpunimit ekonomik dhe rëndësisë së rritjes dhe nxitjes së interesit të biznesit amerikan për të investuar në Shqipëri në sektorë strategjikë dhe ekonomi.

Gjate takimit u diskutua edhe për rrezikun me të cilin përballet rajoni nga ndërhyrjet e jashtme dhe nevoja për më shumë konektivitet dhe projekte të përbashkëta rajonale dhe sesi SHBA mund të kontribuojnë në këtë drejtim. U theksua se Shqipëria është një partner i rëndësishëm i SHBA në rajon dhe se do të vazhdojë të mbetet e tillë. 

Redaksia Online
(f.s/shqiptarja.com)