Kryeministri Edi Rama zhvilloi një vizitë në Vatikan, ku ndër të tjera, u takua edhe me Papa Leone XIV ditën e djeshme.
Në një postim në rrjetet sociale, Rama ka ndarë momente nga takimi me Atin e Shenjtë, ku e shoqëronin gjithashtu bashkëshortja Linda dhe djali Zaho.
“Mirëmëngjes dhe me disa çaste të bukura nga takimi me Papa Leonin XIV, ju uroj një ditë të mbarë”, shkruan kreu i qeverisë në Facebook.
Takimi u zhvillua në Pallatin Apostolik në Vatikan, ndërsa bisedimet u zhvilluan në Sekretarinë e Shtetit të Vatikanit me fokus tek situata në Ballkan dhe rruga drejt integrimit evropian të Shqipërisë.
Gjatë bisedimeve me Sekretarin e Shtetit të Selisë së Shenjtë kardinalin Pietro Parolin dhe imzot Paul Richard Gallagher, sekretar për Marrëdhëniet me Shtetet dhe Organizatat Ndërkombëtare, siç shkruan Vatikan News, u vu në dukje gjithashtu marrëdhënia e mirë mes Selisë së Shenjtë dhe Shqipërisë ndërsa u trajtuan tema me interes të përbashkët që lidhen me marrëdhëniet ndërmjet bashkësisë kishtare dhe asaj civile.
Më herët, Rama vizitoi Pallatin Apostolik të Vatikanit, ku u prit në oborrin “San Damaso”, nga Prefekti i Shtëpisë Papnore.
Ndërkohë, të mërkurën kryeministri përcolli lutje për popullin shqiptar në bazilikën ‘Regina di Albania’, ku gjendet shëmbëlltyra e Zojës së Këshillit të Mirë.
"O Mari, Nënë e ëmbël e Këshillit të Mirë, kaq e dashur për bijtë e Shqipërisë në atdhe dhe jashtë atdheut! Sot po vijmë tek ti, edhe një herë, të ta besojmë popullin tonë, familjet tona, rininë tonë. Ti që je Zojë e Shkodrës dhe e mbarë Shqipërisë, na udhëhiq në rrugën e së mirës, na jep dritë në dyshime dhe ngushëllim në provat e jetës. Nën mbrojtjen tënde kërkojmë strehë, o Virgjër e bekuar. Mbroje Shqipërinë, ndriço mendjet tona dhe na bëj të jemi gjithmonë besnikë ndaj Birit tënd, Jezusit. O Zoja e Këshillit të Mirë, lutu për ne", thuhej në lutjen e Ramës.
Vizita vijoi në Bazilikën e Shën Pjetrit, në mjediset e Stanza delle Lacrime, ndërsa në përfundim Kryeministri Rama dhe bashkëshortja e tij vizituan vendvarrimin e Papa Françeskut në bazilikën Santa Maria Maggiore.
Komente











Qokat e fundit si kryeminister ..!
Përgjigju