Të ardhurat nga turizmi në ekonominë shqiptare pësuan rënie në tremujorin e fundit të vitit të kaluar, sipas raportit statistikor më të fundit të Bankës së Shqipërisë. Të ardhurat hyrëse nga udhëtimet kishin vlerën e 389 milionë eurove, rreth tetë milionë euro më pak krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë. Kjo është hera e parë prej vitit 2013 që të ardhurat nga turizmi në tremujorin e fundit të vitit pësojnë rënie. Ndërkohë, në raport me tremujorin e tretë, që përbën edhe pikun e sezonit turistik, të ardhurat ranë me rreth 300 milionë euro.
Megjithatë, për të gjithë vitit 2018 bilanci i të ardhurave nga turizmi ishte sërish pozitiv. Turistët e huaj sollën 1.86 miliardë euro, afërsisht 9% më shumë krahasuar me vitin 2017. Vitin e kaluar Shqipërinë e vizituan afro gjashtë milionë shtetas të huaj. Ky është numri më i lartë i vizitorëve të huaj i regjistruar ndonjëherë në vendin tonë. Të dhënat e Institutit të Statistikave tregojnë se numri i vizitorëve të huaj u rrit me afro 16%. Ndërsa të ardhurat nga turizmi frenuan, shpenzimet e shqiptarëve për udhëtime jashtë vazhduan të rriten edhe në tremujorin e katërt 2018. Ato arritën vlerën e 317 milionë eurove, në rritje vjetore me 10%. Për të gjithë vitin 2018, shqiptarët shpenzuan 1.43 miliardë euro në udhëtime jashtë, 13% më shumë krahasuar me vitin 2017. Edhe në numër, udhëtimet e shtetasve shqiptarë jashtë vendit vitin e kaluar shënuan një shifër rekord, me 5.4 milionë dalje jashtë vendit.
Turizmi
Më pak të huaj kanë hyrë ndërkohë në Shqipëri në dy muajt e parë të këtij viti kurse krejt e kundërta ka ndodhur me shqiptarët që kanë preferuar të dalin më shumë jashtë ne raport me të njejtën periudhë të një viti më parë. Të dhënat zyrtare për lëvizjen e shtetasve deri në shkurt të publikuara nga INSTAT tregojnë se hyrjet e shtetasve shqiptarë dhe të huaj në territorin shqiptar në muajin shkurt 2019 janë 530.690. Krahasuar me shkurtin 2018, ky tregues rezulton me rritje 7.5%. Në shkurt, hyrjet e shtetasve të huaj në vend janë 201.597; krahasuar me shkurtin 2018, ky numër është rritur me 5.8%. Por numri i shtetasve të huaj që kanë hyrë në vendin tonë në dymujorin e parë 2019 rezulton 411.117, duke u ulur me 2.8%, në krahasim me të njëjtën periudhë të vitit 2018.
![](https://shqiptarja.com/template/img/NO_ALFA_Kuadrate%20shqiptarja.png)
Në shkurt 2019, ndër vendet që kanë hyrjet më të larta të shtetasve në Shqipëri, Anglia ka patur rritjen më të madhe me 27.9%, ndërsa uljen më të madhe e kanë patur shtetasit nga Kosova me 12.5%. Në dymujorin e parë 2019, ndër vendet që kanë hyrjet më të larta të shtetasve në Shqipëri, Anglia ka patur rritjen më të madhe me 17.6% ndërsa uljen më të madhe e kanë patur shtetasit nga Kosova me 16%, thuhet në raportin e INSTAT. Daljet e shtetasve shqiptarë nga territori i Shqipërisë gjatë muajit shkurt 2019 ishin 351.144. Krahasuar me shkurtin 2018, ky numër është rritur 17.2%. Kurse numri i shtetasve shqiptarë të dalë nga territori i vendit tonë në dymujorin e parë 2019 është 804.975, duke u rritur 7.7%, krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë, vlerëson INSTAT.
Remitancat
Sa u përket paravë që emigrantët sjellin në shtëpi, ato kanë shënuar një rritje të ndjeshme përgjatë viteve të fundit. Sipas statistikave të publikuara nga banka e Shqipërisë, remitancat arritën në 670 milionë euro në vitin 2018, duke u rritur me 5.3% në krahasim me vitin e mëparshëm. Ky është niveli më i lartë që nga viti 2012, teksa një vit më pas, më 2013, prurjet e emigrantëve arritën në nivelin më të ulët që pas viteve ’90, duke zbritur në 545 milionë euro. Por, pas vitit 2013, prurjet e emigrantëve filluan të rriten sërish, për të arritur në 2018-n, ku rritja në vlerë absolute ishte rreth 34 milionë euro, më e larta e gjashtë viteve të fundit.
Komente
![](https://shqiptarja.com/template/img/antipiracynote.jpg)
![](https://www.shqiptarja.com/template/img/sh_logo1.png)