TIRANË - Edhe gjatë ditës së sotme Policia e Shtetit ka vijuar në të gjithë vendin zbatimin në terren të masave të posaçme për ndërprerjen e abuzimeve me energjinë elektrike, duke identifikuar dhe vënë para drejtësisë autorët e lidhjeve të paligjshme të energjisë dhe vjedhjes së energjisë elektrike. Deri në orën 19:00 të ditës së sotme janë arrestuar 11 persona, të cilët akuzohen për vjedhje të energjisë elektrike, janë shpallur në kërkim 7 persona të tjerë, si dhe është ndaluar për shpërdorim detyre 1 faturist , punonjës i OSHEE në Lushnjë. Po ashtu, është mbështetur OSHEE në 1.272 raste gjatë ditës së sotme. Janë ndërprerë 556 lidhje të paligjshme të energjisë dhe abonenteve debitorë. Ndërkohe, nga të arrestuarit, 8 prej tyre janë pronarë biznesesh. Policia e Shtetit është e vendosur të mbështesë OSHEE-në deri në shkëputjen e fundit të lidhjeve të paligjshme të energjisë , duke përballur me forcën e ligjit të gjithë ata persona, të cilët abuzojnë me energjinë elektrike. /ATSH/
/Shqiptarja.com












