Prokuroria i ka dërguar kompanisë ndërkombëtare “Grant Thorton” kërkesën për t’i dorëzuar hetimit të gjithë dokumentacionin dhe pasqyrat financiare që disponon mbi çertifikimin e bilancit të Bankës së Shqipërisë për vitin 2013.
Jo vetëm kaq, por hetuesit kërkojnë materialet shkresore se si u lidh kontrata mes Bankës së Shqipërisë dhe kompanise “Grant Thornton”, e cila njihet si audituesi ndërkombëtar i gjashtë në botë.
Prokuroria thotë se kjo kompani, me seli në rrugën “Sami Frashëri”, duhej të bënte auditimin e duhej të garantonte llogaritë financiare dhe bilancin së bashku me rezervat dhe stokun.
E ndërsa pritet që prokurorët të shkojnë për të sekuestruar dokumentacionin në zyrat e kësaj kompanie, ajo që dihet është se më herët Top Channel ka kontaktuar në muajin gusht me “Grant Thornton”.
Kompania u shpreh në atë kohë se ajo është përzgjedhur në vitin 2011 përmes një tenderi publik të organizuar nga Banka e Shqipërisë dhe se raportet janë pranuar plotësish nga banka përsa i përket cilësisë dhe shërbimit të ofruar.
Në vijim të veprimeve hetimore, burimet thanë se u është dërguar fletëthirrje për t’u marrë në pyetje edhe tre audituesve shqiptarë: Julinda Sokoli, Ilir Osmani dhe Ledia Bregu, të cilët pritet të merren në pyetje në ditët në vijim.
Marrë nga "Top Channel"
Redaksia Online
(e.s/shqiptarja.com)
