Shqipëria është shteti me më pak vjedhje në Evropë përgjatë viteve, e një diferencë shumë të madhe nga vendet e tjera.  Në statistikat e bëra për 100 mijë banorë nga EUROSTAT, të përditësuara për herë të fundit në vitin 2019, të cilat e shfaqin vendin me vetëm tre vjedhje për 100 mijë banorë gjatë atij vitit.

Këto shifra e vendosin Shqipërinë shumë më lart vendeve më të zhvilluara edhe brenda Bashkimit Evropian, ku rekordin e mbajnë Belgjika dhe Spanja me 140 vjedhje për 100 mijë banorë. Ndërkohë që të vetmiit vende që i afrohen janë Liktenshtejni me 5 vjedhje për 100 mijë banorë dhe Hungaria me Qipron me nga 6 vjedhje për 10 mijë banorë.  

Bëhet fjalë për vjedhje, të cilat ndodhin nëpërmjet forcës, kanosjes, kërcënimeve apo edhe atyre të shtëpive. Ndërsa Brukseli dhe Madridi janë ndër zonat më të kuqe në Evropë, Shqipëria renditet në zonën e verdhë – rrezikshmëria më e ulët. Britania e Madhe ka po ashtu të dhëna tepër jo të favorshme. Aty regjistrohen 132 vjedhje për 100 mijë banorë. Portugalia ndjek me 106, Suedia me 88 dhe Holanda me 50.

Për vende si Gjermania, Italia apo Franca, mesatarja shkon në 42-43 vjedhje. Ndërsa, rajoni i Ballkanit në tërësi, nxjerr shifra më të moderuara.

Përtej Greqisë të përkufizuar si zonë portokalli me 40 vjedhje për 100 mijë banorë, pjesa tjetër është zonë e verdhë. Kosova shkon në 11, Mali i Zi në 15, Serbia 17 e Maqedonia e Veriut në 20.