VJENË, 8 korrik / ATSH-DPA/ - Irani ka ofruar një zgjidhje të re për dhënien fund konfliktit mbi afatin e kufizimeve bërthamore dhe lehtësimin e sanksioneve, dy elementë kyç të një marrëveshjeje ndërkombëtare të negociuar në Vjenë, u shprehën sot burimet iraniane.
"Grupit të Britanisë së Madhe, Kinës, Frances, Rusisë, SHBA-së dhe Gjermanisë i është paraqitur një zgjidhje e re konstruktive një ditë më parë", u shpreh një prej të deleguarve pa dhënë shumë detaje.
Irani dhe grupi 5 + 1 vendosën dje të zgjasin negociatat dhe për disa ditë të tjera, në mënyrë që të gjejnë gjuhën e përbashkët mbi çështjet e vështira.
Drejtuesit e Teheranit kërkojnë që vendet perëndimore të heqin sanksionet ndaj eksportit të naftës dhe kufizimeve bankare sa më shpejt të jetë e mundur sapo të  arrihet e marrëveshja, madje nëse është e mundur përpara se Irani të ketë ndërmarrë gjithë hapat e rëna dakord për kufizimin e aktiviteteve bërthamore.
Përpara se të hiqet embargoja, grupi 5 + 1 kërkon që Agjencia Ndërkombëtare për Energjinë Atomike (IAEA) të verifikojë që Irani përmbush gjithë detyrimet bërthamore  me qëllim parandalimin e Iranit në prodhimin e armëve bërthamore.
Koha se kur do hiqet embargoja e armëve dhe sesa akses do i japë agjencia Iranit janë dy pika tjera të konfliktit të cilat e kanë mbajtur peng marreveshjen.
Kryediplomatët e shumicës së vendeve të përfshira në bisedime u larguan nga Vjena mëngjesin e sotëm përveç sekretarit amerikan te Shtetit, John kerry dhe homologut të tij iranian Mohammad Javad Zarif.
Në themel, diplomatët duan që marrëveshja afatgjatë të mbyllet nga fundi i së enjtes sepse një vonesë tjetër do u jepte ligjvënësve skeptikë amerikanë një muaj tjetër për të lobuar kundër marrëveshjes, sipas rregullave të Kongresit amerikan./  /r.b/  a.jor.