Ka një kufi që as ambicia për të marr pushtet nuk duhet ta kapërcejë: jetën dhe dinjitetin e të rinjve. Kur lufta politike arrin deri aty sa rrezikon fëmijët e këtij vendi, përgjegjësia nuk mund të fshihet më pas parullave.
Rinia shqiptare është më e rëndësishme se çdo pushtet, çdo parti dhe çdo interes politik. Është më e rëndësishme edhe se retorika e një “të ardhme më të mirë” që humbet kuptimin kur, në emër të saj, harrohet dinjiteti njerëzor.
Askush nuk ka të drejtë ta trajtojë rininë si lëndë të parë për betejat e veta. Zelli, idealizmi, madje edhe vrulli e papjekuria e moshës, nuk janë leje për t’i kthyer të rinjtë në “mish për top”. Kush pretendon t’u prijë, duhet të mbajë përgjegjësi edhe për pasojat e thirrjeve që u drejton.
Veçanërisht ju që nxisni përplasje nga siguria e jetës jashtë vendit, ndërsa fëmijët tuaj i mbani pranë dhe larg rrezikut: me çfarë të drejte u kërkoni fëmijëve të të tjerëve të përballojnë atë që nuk do ta pranonit për tuajt?
Është e lehtë të kërkosh sakrificë kur çmimin e paguan një familje tjetër. Por guximi publik matet edhe me përgjegjësinë për jetën që mund të prekë fjala jote.
Kam kontribuar dhe mbetem i gatshëm të kontribuoj për vendin tim, pa e kushtëzuar mendimin me interesa partiake. Pikërisht për këtë, nuk mund të hesht përballë një klime ku të rinjtë poshtërohen, ndërsa policia sulmohet e denigrohet pa dallim.
Uniforma nuk e përjashton përgjegjësinë për çdo shkelje, por as nuk ia heq njeriut dinjitetin. Pas saj është një qytetar që punon mes vështirësive, shpesh me kushte e paga të pamjaftueshme. Është një prind, një bashkëshort, një bir. Të kërkosh llogari prej tij është e drejtë; ta kthesh në shënjestër urrejtjeje është papërgjegjshmëri.
Protesta është një e drejtë demokratike. Mbrojtja e saj kërkon që të rinjtë të jenë të lirë të mendojnë, të flasin dhe të kundërshtojnë, pa u përdorur nga askush. Po aq kërkon që ligji të zbatohet me profesionalizëm, përmbajtje dhe respekt për qytetarin.
Shqipëria ka nevojë për pjekuri politike, gjakftohtësi dhe vendime që mbrojnë jetën. Ka nevojë për njerëz që e kuptojnë se përgjegjësia ndaj vendit është më e madhe se etja për pushtet.
Sepse asnjë fitore politike nuk e shlyen dot dhimbjen që i shkaktohet një familjeje. Dhe askush nuk mund të pretendojë se po ndërton të ardhmen e Shqipërisë duke rrezikuar fëmijët e saj.






Komente
Komento