Këshilli i Ministrave ka vendosur krijimin e Fondit të Gjelbër të Pemëve për zhvillim të qëndrueshëm të territorit dhe sipërfaqeve të gjelbëruara. Ai do të administrohet nga AZHT që është përgjegjëse për krijimin e stokut të fidanëve e pemëve, në të cilat konsiston fondi, planifikimin dhe shpërndarjen.

Agjencia e Zhvillimit të Territorit do të pajiset me një regjistër elektronik.

AZHT do të vendosë në funksion fondin në bashkëpunim me njësitë e qeverisjes vendore. Kërkesat për përfitimin e pemëve nga fondi paraqiten pranë AZHT, shoqëruar me dokumentacionin përkatës:

a) Relacioni për qëllimin e përdorimit dhe zhvillimit, i cili planifikohet të kryhet;

b) Projekti përkatës publik;

c) Të dhëna për vendndodhjen;

ç) Të dhëna për numrin e pemëve.

Ndërtuesit janë të detyruar të kontribuojnë në fond me:

1 (një) pemë për çdo 30 (tridhjetë) m² sipërfaqe ndërtimi, por në çdo rast, jo më pak se 20 (njëzet) pemë për kat ndërtimi për të gjitha objektet rezidenciale dhe turistike, por jo më shumë se 500 (pesëqind) pemë për çdo leje ndërtimi;

b) 10 (dhjetë) pemë për çdo vilë apo shtëpi individuale banimi;

c) 10 (dhjetë) pemë për magazinat bujqësore dhe industriale;

ç) Për centralet e prodhimit të energjisë, 10 (dhjetë) pemë për MË, por jo më shumë se 500 (pesëqind) pemë për çdo leje ndërtimi.

V E N D I M  PËR KRIJIMIN, FUNKSIONIMIN DHE ADMINISTRIMIN E FONDIT TË GJELBËR TË PEMËVE, NË KUADËR TË ZHVILLIMIT TË TERRITORIT E TË HAPËSIRAVE PUBLIKE

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të pikës 10, të nenit 39, të ligjit nr.107/2014, “Për planifikimin dhe zhvillimin e territorit”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Infrastrukturës dhe Energjisë, Këshilli i Ministrave

V E N D O S I:

Neni 1

Objekti dhe qëllimi

1. Ky vendim përcakton rregullat për krijimin, funksionimin dhe administrimin e fondit të gjelbër të pemëve, në kuadër të zhvillimit të qëndrueshëm të territorit.

2. Qëllimi i fondit të gjelbër të pemëve është:

a) garantimi i integrimit të elementeve të gjelbërimit në zhvillimin e territorit;

b) rritja e sipërfaqeve të gjelbëruara;

c) përmirësimi i cilësisë së jetës dhe i hapësirave publike;

ç) përcaktimi i mënyrave dhe i procedurave të përdorimit e të shpërndarjes së pemëve për nevoja publike dhe peizazh urban.

Neni 2

Krijimi i fondit

1. Krijohet fondi i gjelbër i pemëve (në vijim fondi), si instrument në funksion të politikave të zhvillimit të qëndrueshëm të territorit dhe të rritjes së sipërfaqeve të gjelbëruara.

2. Fondi funksionon si fond fizik, i përbërë nga fidanë dhe pemë për mbjellje, i cili administrohet në nivel qendror nga Agjencia e Zhvillimit të Territorit (në vijim AZHT).

3. Fondi përdoret ekskluzivisht për:

a) mbjelljen e fidanëve dhe pemëve;

b) rehabilitimin e hapësirave të gjelbëruara;

c) mirëmbajtjen e tyre.

4. AZHT-ja është përgjegjëse për:

a) krijimin e stokut kombëtar të fidanëve dhe pemëve;

b) planifikimin kombëtar të nevojave për gjelbërim, në kuadër të zhvillimit të qëndrueshëm të territorit, pas bashkërendimit të procesit me njësitë e vetëqeverisjes vendore dhe ministrinë përgjegjëse për mjedisin;

c) shpërndarjen e fidanëve dhe pemëve për projekte publike nga institucionet qendrore dhe njësitë e vetëqeverisjes vendore, sipas kërkesave dhe nevojave të organeve qendrore e vendore.

Neni 3

Bashkëpunimi me ministrinë përgjegjëse për mjedisin dhe njësitë e vetëqeverisjes vendore

1. Njësitë e vetëqeverisjes vendore janë përgjegjëse për:

a) identifikimin e hapësirave për mbjellje në territorin administrativ të tyre;

b) zbatimin në terren me strukturat përgjegjëse, duke mbjellë fidanët dhe pemët në zonat e miratuara nga AZHT-ja;

c) mirëmbajtjen e pemëve dhe fidanëve të mbjellë;

ç) raportimin periodik në AZHT.

2. AZHT-ja, pas identifikimit dhe propozimit të hapësirave për mbjellje në territorin administrativ nga secila bashki, miraton zonat e përcaktuara për krijimin e fondit të gjelbër në territorin e secilës bashki.

3. AZHT-ja, në bashkëpunim me ministrinë përgjegjëse për mjedisin, përcakton llojet e bimësisë që do të përdoret, në përputhje me karakteristikat territoriale dhe kushtet mjedisore të zonave përkatëse.

Neni 4

Detyrimi për mbjelljen e pemëve nga lejet e ndërtimit

1. Çdo subjekt zhvillues, që pajiset me leje ndërtimi, është i detyruar të kontribuojë në fond.

2. Kontributi përcaktohet, si më poshtë vijon:

a) 1 (një) pemë për çdo 30 (tridhjetë) m² sipërfaqe ndërtimi, por në çdo rast, jo më pak se 20 (njëzet) pemë për kat ndërtimi për të gjitha objektet rezidenciale dhe turistike, por jo më shumë se 500 (pesëqind) pemë për çdo leje ndërtimi;

b) 10 (dhjetë) pemë për çdo vilë apo shtëpi individuale banimi;

c) 10 (dhjetë) pemë për magazinat bujqësore dhe industriale;

ç) Për centralet e prodhimit të energjisë, 10 (dhjetë) pemë për MË, por jo më shumë se 500 (pesëqind) pemë për çdo leje ndërtimi.

3. Kontributi realizohet nëpërmjet dorëzimit, mbjelljes fizike të fidanëve dhe pemëve në zonat e përcaktuara nga AZHT-ja, pas një procesi bashkërendimi me njësitë e vetëqeverisjes vendore.

Neni 5

Deklarata e përgjegjësisë

1. Para lëshimit të lejës së ndërtimit, sipas procedurave të legjislacionit në fuqi për planifikimin dhe zhvillimin e territorit, subjekti zhvillues depoziton një deklaratë përgjegjësie, me anë të së cilës angazhohet për përmbushjen e detyrimit për mbjellje të fidanëve dhe pemëve, pranon kushtet e përcaktuara nga autoriteti përgjegjës i zhvillimit të territorit dhe garanton realizimin e detyrimit, brenda afateve të lejes.

2. Certifikata e përdorimit lëshohet nga autoriteti përgjegjës i zhvillimit të territorit, vetëm pasi të ketë marrë konfirmimin nga struktura përgjegjëse për gjelbërimin pranë njësisë së vetëqeverisjes vendore për përmbushjen e detyrimit për mbjelljen e fidanëve dhe pemëve.

Neni 6

Detyrimi për shfrytëzimin e hapësirave publike

1. Çdo person fizik apo juridik, që pajiset me leje nga njësia e vetëqeverisjes vendore për shfrytëzimin e hapësirave publike, ka detyrimin të kontribuojë në fond.

2. Kontributi përcaktohet në raportin 1 (një) pemë për çdo tavolinë, në rastin kur kërkohet të vendosen karrike në hapësirën publike.

3. Kontributi fizik dhe raporti me numrin e tavolinave verifikohet nga strukturat përkatëse të bashkisë.

4. Kontributi realizohet në formë fizike, sipas këtij vendimi, ose duke paguar ekuivalentin e pemëve në lekë, në funksion të fondit të gjelbër të bashkisë përkatëse.

Neni 7

Administrimi i fondit

1. AZHT-ja, në bashkëpunim me njësitë e vetëqeverisjes vendore, mban një regjistër të posaçëm elektronik, pjesë e sistemit e-Leje, për:

a) fidanët dhe pemët e mbjella;

b) shpërndarjen e tyre sipas zonave të miratuara;

c) datën e mbjelljes;

ç) statusin e mirëmbajtjes.

2. Regjistri elektronik krijohet nga Agjencia Kombëtare e Shoqërisë së Informacionit, brenda 3 (tre) muajve nga hyrja në fuqi të këtij vendimi.

Neni 8

Shpërndarja e fondit të fidanëve dhe pemëve

1. Institucionet publike paraqesin kërkesë pranë AZHT-së për përfitimin e pemëve nga fondi pyjor, në funksion të zhvillimeve apo investimeve të tyre publike.

2. Kërkesa shoqërohet nga dokumentacioni i mëposhtëm:

a) Relacioni për qëllimin e përdorimit dhe zhvillimit, i cili planifikohet të kryhet;

b) Projekti përkatës publik;

c) Të dhëna për vendndodhjen;

ç) Të dhëna për numrin e pemëve.

3. AZHT-ja vendos për shpërndarjen e fidanëve dhe pemëve, duke marrë në konsideratë prioritetet e zhvillimit të territorit dhe nevojat publike për projekte të gjelbëruara.

Neni 9

Zbatimi

Ngarkohen Agjencia e Zhvillimit të Territorit, njësitë e vetëqeverisjes vendore dhe Agjencia Kombëtare e Shoqërisë së Informacionit për zbatimin e këtij vendimi.

Neni 10

Hyrja në fuqi

Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.