TIRANË- Këshilli i Ministrave ka miratuar indeksimin e pagave për administratën publike me 2.5%. Më shumë se 144 mijë punonjës të administratës do të marrin një rritje të pagës së tyre prej 2.5%, përfshirë edhe atë të muajit janar. Indeksimi përdoret si instrument që përdoret për të amortizuar rritjen e inflacionit. Janë gati 100 milionë euro të parashikuara për rritjen e pagave në administratën qendrore dhe vendore.
Por jo vetëm për punonjësit e administratës, qeveria ka vendosur që të bëhet indeksim page me efekt prej 1 janarit 2026 edhe për disa kategori të tjera, ku përfshihet rritja e pagës së Presidentit të Republikës, e gjykatësve, prokurorëve, Gardës së Republikës, Policisë së Burgjeve, koordinatorëve kundër korrupsionit, punonjësit mbështetës si dhe personelin e sistemit shëndetësor.
Përveç këtyre kategorive, gjatë këtij muaj do të miratohen vendime të tjera që do të përfshijnë edhe indeksimin e pagave në sistemin arsimor apo në pushtetin vendor.
Pas këtij indeksimi paga e presidentit rritet në 435.625 lekë në muaj, nga 425.000 lekë që ishte. Kurse paga referuese bazë për funksionet gjyqësore dhe të prokurorisë bëhet 156.825 lekë/muaj. Ky indeksim vjen në një kohë kur gjyqtarët kanë depozituar kërkesë në Gjykatën Kushtetuese për rritjen e pagave, kërkesë e cila është kundërshtuar edhe nga kryeministri Rama.
Ndërsa në sistemin shëndetësor përveç indeksimit të pagave me 2.5%, ndryshon edhe formula e njohjes së vjetërsisë në profesion. Deri më tani me VKM ka qenë e parashikuar që shtesa për vjetërsi në punë, jepej në masën 2% pas çdo viti pune, deri në 25 vjet.
Kurse me vendimin e ri vjetërsia do të ndahet në 3 grupe, dhe vjetërsia jepet me 0.6% për çdo vit për 10 vitet e para (1–10 vite) dhe llogaritet mbi pagën e pozicionit, rritet në 0.8% për 10 vitet e dyta dhe rritet me 1% në vit kur eksperienca në punë është mes fashës 21–30 vite.
V E N D I M PËR INDEKSIMIN E PAGËS SË PRESIDENTIT TË REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të shkronjës “b”, të pikës 2, të nenit 8, të ligjit nr.35/2023, “Për kompetencat për caktimin e pagave, trajtimeve të tjera financiare dhe përfitimeve të të punësuarve në institucionet e administratës publike, si dhe të pagës bazë minimale në shkallë vendi”, të ndryshuar, dhe të nenit 13, të ligjit nr.87/2025, “Për buxhetin e vitit 2026”, me propozimin e ministrit të Shtetit për Administratën Publike dhe Antikorrupsionin, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
1. Paga e Presidentit të Republikës indeksohet në masën 2,5%. Pas indeksimit, vlera e pagës së Presidentit bëhet 435 625 (katërqind e tridhjetë e pesë mijë e gjashtëqind e njëzet e pesë) lekë në muaj.
2. Efektet financiare të këtij vendimi përballohen brenda buxhetit të miratuar për vitin 2026 për institucionin e Presidentit të Republikës.
3. Ngarkohet institucioni i Presidentit të Republikës për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare” dhe i shtrin efektet financiare nga data 1 janar 2026.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
V E N D I M PËR INDEKSIMIN E PAGËS REFERUESE BAZË PËR FUNKSIONET GJYQËSORE DHE TË PROKURORISË NË REPUBLIKËN E SHQIPËRISË
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të shkronjës “b”, të pikës 2, të nenit 8, të ligjit nr.35/2023, “Për kompetencat për caktimin e pagave, trajtimeve të tjera financiare dhe përfitimeve të të punësuarve në institucionet e administratës publike, si dhe të pagës bazë minimale në shkallë vendi”, të ndryshuar, dhe të shkronjës “a”, të pikës 5, të nenit 12, të ligjit nr.96/2016, “Për statusin e gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Shtetit për Administratën Publike dhe Antikorrupsionin, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
1. Paga referuese bazë për funksionet gjyqësore dhe të prokurorisë, e cila është e njëjtë me shumëzimin e koeficientit 0.36 (zero pikë tridhjetë e gjashtë) me pagën e Presidentit të Republikës, indeksohet në masën 2,5%. Pas indeksimit, vlera e pagës referuese bazë për funksionet gjyqësore dhe të prokurorisë bëhet 156 825 (njëqind e pesëdhjetë e gjashtë mijë e tetëqind e njëzet e pesë) lekë/muaj.
2. Efektet financiare të këtij vendimi përballohen brenda buxhetit të miratuar për vitin 2026 për institucionet përkatëse.
3. Ngarkohen institucionet, pjesë e fushës së veprimit të këtij vendimi, për zbatimin e tij.
Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare” dhe i shtrin efektet financiare nga data 1 janar 2026.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
Komente










