Qeveria ka propozuar një projektligj të ri për lirimin e frekuencave të njohura si Digital Divident Dy (DD2), të cilat aktualisht përdoren për transmetimet audiovizive dhe do të kalojnë në përdorim të rrjeteve të komunikimeve elektronike të lëvizshme, përfshirë teknologjinë 5G.
Për këtë proces parashikohet një fond kompensimi prej 6 milionë e 432 mijë e 500 eurosh, që do të përballohet nga buxheti i Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë. Fondi synon të mbulojë pjesërisht kostot direkte që do të kenë operatorët televizivë dhe Radio Televizioni Shqiptar (RTSH) për përshtatjen e infrastrukturës së transmetimit dhe zhvendosjen e sinjalit në frekuenca të tjera.
Kompensimi do të ndahet në dy këste. 50% e shumës, ose rreth 3.2 milionë euro, do të paguhet në fillim të procesit, ndërsa pjesa tjetër do të jepet gjatë vitit 2027, pas përfundimit të migrimit (kalimit të valëve) dhe verifikimit të lirimit të frekuencave. Pagesa e këstit të parë parashikohet të kryhet nga buxheti i vitit 2026, ndërsa në rast vonesash procedurale mund të kalojë në tremujorin e parë të vitit 2027.
Përfitues të këtij kompensimi do të jenë operatorët e rrjeteve numerike kombëtare (kompanitë që ofrojnë transmetimet televizive dixhitale) të licencuar nga Autoriteti i Mediave Audiovizive (AMA), si dhe RTSH-ja. Shuma që do të marrë secili subjekt është përcaktuar në bazë të një tabele të posaçme të vlerësimit të kostove, bashkëlidhur projektligjit.
Sipas projektit, për të përfituar fondet, operatorët duhet të paraqesin pranë AMA-s dokumentacionin financiar që provon investimet e kryera për përshtatjen e pajisjeve ekzistuese, instalimin e pajisjeve të reja dhe kostot e tjera që lidhen drejtpërdrejt me lirimin e brezit 700 MHz. Gjithashtu, ata duhet të dëshmojnë se kanë shlyer detyrimet tatimore, sigurimet shoqërore dhe shëndetësore, si dhe detyrimet e tjera ligjore.
AMA do të jetë institucioni përgjegjës për shqyrtimin e dokumentacionit, verifikimin e kostove dhe koordinimin e procesit të migrimit, ndërsa pagesat do të kryhen nga Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë përmes sistemit të thesarit.
Projektligji parashikon që procesi i migrimit të përfundojë brenda gjashtë muajve nga hyrja në fuqi e tij. Pas lirimit të frekuencave, administrimi i tyre do t'i kalojë Autoritetit të Komunikimeve Elektronike dhe Postare (AKEP), i cili do të ketë një afat prej gjashtë muajsh për të zhvilluar procedurën e dhënies në përdorim të tyre për rrjetet e komunikimeve elektronike të lëvizshme 5G.
Të ardhurat që do të sigurohen nga dhënia e autorizimeve individuale për përdorimin e këtyre frekuencave do të derdhen në buxhetin e shtetit.
Përmes kësaj nisme synohet lirimi i brezit 694–790 MHz, i njohur si Digital Divident Dy, për t'ia vënë atë në dispozicion zhvillimit të rrjeteve të gjeneratës së ardhshme të komunikimeve elektronike, duke garantuar njëkohësisht vazhdimësinë e transmetimeve televizive numerike tokësore për publikun.





Komente
Komento