Vladimir Llakaj: Si dështoi
konkursi për Ismail Qemalin

Vladimir Llakaj: Si dështoi <br />konkursi për Ismail Qemalin
Vladimir Llakaj ka marrë pjesë në konkurs duke dorëzuar edhe ai një bocet për Ismail Qemalin. Vepra e tij nuk është ndër pesë fituesit "që nuk janë fitues", por logjika e një Galerie Kombëtare të papërgjegjshme i pranoka si të tillë të pesë skulptorët. Kjo gjë është njësoj sikur një nxënësi ngelës t'ia japësh që ta mbush fletën e provimit në shtëpi. Për realizimin e 3 shtatoreve kushtuar tri figurave të rëndësishme historike Ismail Qemalit, Ahmet Zogut dhe Hasan Prishtinës u la në dispozicion një kohë edhe më e shkurtër se boceti i monumentit i Pavarësisë dhe juria nuk u ka deklaruar artistëve as shumën sesa do të marrë fituesi. Akuzat e rënda të skulptorit të njohur Vladimir LLakaj duken të pabesueshme, vetëm nëse i shkëput nga konteksti i rezultateve të këtij konkursi... Por, dje çdo vizitor i thjeshtë duke hyrë në Galerinë Kombëtare të Arteve për të parë bocetet, do të kuptonte se me këtë punën e monumenteve të pavarësisë skandalet dhe abuzimet janë të tmerrshme…

Z. Vladimir, a kishit një kohë të mjaftueshme për realizimin artistik të boceteve?
-Shpallja është bërë dy muaj para prezantimeve të boceteve. Kjo ishte koha.

Ju morë pjesë?
-Në fakt unë mora pjesë për statujën e Ismail Qemalit.

Pse nuk u prezantuat me figurat e tjera historike, Zogun dhe Prishtinën?
-Do të doja por në fakt edhe kohë fizike nuk ka. Thashë për një bocet ndoshta është e mjaftueshme, për tre bocete një muaj e gjysmë a dy nuk mjaftojnë.

Mund të merrje pjesë ti me tre bocete, lejohej?
-Sigurisht. Unë mund të merrja pjesë me tre bocete. Ka persona që kan marrë. Atyre u ka "mjaftuar" koha. Për mua nuk është e mjaftueshme.

Drejtori Rubens Shima tha se skulptorët nuk e njohim konceptin, nuk kanë ditur të marrin referencat, etj?
-Absolutisht që unë u jam referuar historive, por dhe artistët e tjerë. Deklaratat e Shimës janë gjithmonë evazive. Në qoftë se publiku ose profesionistët e qëmtojmë mirë deklaratën e tij sheh se janë fjalë boshe.

Pse e thoni ju këtë. Mbase nuk ka ndodhur në rastin tuaj kjo mosnjohje, por po të shihje bocetet ishin tmerrësisht qesharake?
-Shiko. Kjo do të ndodhte sepse ka të bëjë me pazarllëqet që bëhen hapur për pjesëmarrjen e artistëve në konkurs. Duken sikur fshihen përmes një velloje të tejdukshme, por ata duken. Atëherë të gjithë mendojnë se është e kotë.

Ju mendoni se ka pazarllëqe edhe me fituesit e dy statujave të tjera?
-Jo nuk them për ato, se si di ende. Problemin nis që tek Ministria e Kulturës, Ajo nuk mund t'ia delegojë një institucioni që ka interesa dorëzimin e veprave dhe që merret vetë me artistët. Duhet të ishte një tjetër vend, sepse ky institucion, po të jesh i sinqertë duket se i ka kontaktet me artistë e vet, apo jo? Galeria mban afër të preferuarit, apo jo?. Ju e dini si është puna e institucioneve në vendin tonë. Atëherë ka konflikt interesi këtu. Edhe mendja më mjegullt ka konflikt interesi, sepse është shkelur ligji me të dyja këmbët. Ka hedhje hi syve që kur merret vetëm një skulptor në juri dhe anëtarët e tjerë janë jashtë fushës. Kështu krijohet mundësia që ai skulptor të përdoret ose të jetë shumë më tepër subjektiv. Duket të jenë disa skulptorë në juri që të bien në një zë. Asnjë piktor, arkiktekt apo muzikant e njeri pa lidhje me këtë fushë nuk duhet të jetë në juri. Juria duhet të përbëhej nga skulptorë të jashtëm dhe jo nga zyrtarët e galerisë. Ata edhe janë injorantë në këtë fushë dhe shesin dëngla dhe thonë gjëra sipërfaqësore dhe me papëpërgjeshmëri zyrtare: kthyem konkursin se nuk bëjnë artistët. Kush e bëri pra konkursin?!

Nuk është ndoshta ky një reflektim i Shimës ndaj gabimit?
-Jo, jo. Dëgjo! Do të jap një shembull banal. Për kaq vite, çfarë monumentesh janë vënë në Shqipëri apo në Tiranë, duhet ta mendonte vetëm drejtori. Edhe po ta japë të saktë ta shikoni imazhin tani, duket se artistët më të mirë nuk i ka përfillur kush. Punët më të mira të tyre janë të fshehura nëpër cepat e Shqipërisë.

Ka emra konkret?
-Ka emra konkret. Sadik Spahija ka bërë një monument të mrekullueshëm në Peshkopi. Ka qenë një iniciativë private dhe puna e tij e palodhshme dhe gati falas ka dhënë një figurë të shkëlqyer. Pjerin Kolnikaj ka një hero të Mallakastrës të shkëlqyer që është nismë private nëpërmjet komunave. Edhe Nënë Tereza e Thoma Thomait është e fshehur në një cep. Po të vësh re skulpturat që janë vënë në Tiranë kohët e fundit, mbas tyre ka dorë Rubens Shima. Këto janë një banalitet i paparë, një mediokritet më mes të kryeqytetit të Shqipërisë.

Shima po e justifon sot: "unë i ktheva mbrapsht veprat e dobëta". Nuk mendon se e kishte sinqerisht këtë?
-Jo. Një skulptori kur i kërkon një bocet, ose e bën, ose nuk e bën dot. Po ata skulptorë do të vinë me të njëjtën gjë. Ku është sinqeriteti i tij këtu. Apo se e ka caktuar ai se kush do të fitojë mes atyre pesë vetëve. Çfarë do bëjnë ata do bëhen skulptorë për dy muaj të tjerë. Kjo është një fyerje, një banalitet për artin dhe projektet e festës së pavarësisë.

Po nuk vlejtën për herë të dytë, Shima tha se do hapi konkursin ndërkombëtar, nëse nuk e bëjnë dot këta të pestë...
-Këto janë deklarate false. Ai nuk ia thotë për këtë punë, sepse mund të drejtohej tek ata skuptorë që unë përmenda më lart. Skulptorët e njohur janë të deziluzionuar nga marrëdhëniet që ka Shima me Ministrin e Kulturës. Ai kamuflon një grup interesash që fshihet pas kësaj marrëdhënieje.

Çfarë marrëdhëniesh se ndoshta për syrin tonë nuk duken?
-Kjo e këtij konkursi duket. Është një marrëdhënie tjetër që ky njeri ka një mahni të madhe që të nëvleftësoj gjithë artistët e mirë që ka vendi. i barazon me zero. Është sëmundje e lindur e tij apo është një porosi që i vjen nga diku, nuk e di. Po le ta lëmë personazhin Shima se ai është një grimcë e vogël. Çështja është se nuk ka asgjë transparente në këtë konkurs.

Çfarë nuk iu është bërë juve konkretisht transparente?
-Të ftojnë në konkurs dhe nuk të lënë as kohën e duhur, nuk të caktojnë as vendin e statujës, as çmimin e fituesit. Këtu është kulmi. i bie që çmimi të vihet sipas fituesit të zgjedhur nga Rubens Shima. Si ta dimë se ç'do të bëhet në fund me ato lekë që nuk i thonë?

Nuk qenka thënë as çmimi?
-As çmimi, por akoma nuk është gjetur as vendi. Edhe ai ka koston e tij. Kur kush do ta vërë çmimin, në bazë të kujt kriteri e dokumentacioni. Kjo është një fyerje publike që na bënë edhe Ministri i Kulturës, Bumçi, sepse mban afër personazhe të ekstremit të dukshëm partiak dhe këta i japin mesazhet e injorancës. Të paktën të dëgjoj edhe emrat e atyre që kanë punuar. Jemi në demokraci.

(dhh/im/shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:

    Sa përcaktuese do jetë vota e emigrantëve në zgjedhjet e 2025-ës?



×

Lajmi i fundit

Spartak Ngjela: Turp historik! Nuk lejojnë votim të lirë, e nuk dinë të bëjnë asgjë tjetër veçse të rrinë në pushtet për privilegje

Spartak Ngjela: Turp historik! Nuk lejojnë votim të lirë, e nuk dinë të bëjnë asgjë tjetër veçse të rrinë në pushtet për privilegje