Atentat tjetër me gjuhën shqipe në Maqedoninë e Veriut, në miratimin e heshtur të koalicionit Vlen, aleati shqiptar i kryeministrit Kristian Mickovski.

Duke shkelur Kushtetutën, në kufirin e Maqedonisë është hequr gjuha shqipe, duke vendosur vetëm atë të Maqedonisë dhe në anglisht e frëngjisht.

Akti është dënuar nga opozita shqiptare e Ali Ahmetit, por edhe nga gazetarë e aktivistë të shumtë.

Njerëzit e Vlen kanë dërguar njerëzit e tyre në protestat kundër Edi Ramësn ë Tiranë, duke u hequr si patriot e valëvitur flamujt kuqezi. Ndërsa në Shkup ndaluan që të protestohet për gjuhën shqipe, duke kërcënuar dhe ambasadorin e Shqipërisë, Denion Meidani. Ndërkaq, heshtin si pula pas këtij skandali të sotëm.

Nënkryetari i BDI-së, Bujar Osmani njofton se gjuha shqipe është hequr nga tabela zyrtare e mirëseardhjes në kufirin e Maqedonisë së Veriut

“Gjuha shqipe është hequr nga tabela zyrtare e mirëseardhjes në kufirin e Maqedonisë së Veriut.

Regjistrimi i fundit i popullsisë regjistroi 29.5% të popullsisë si shqiptarë. Kushtetuta dhe ligji garantojnë përdorimin e gjuhës shqipe.

Heqja e saj nga një tabelë zyrtare shtetërore përfaqëson mungesë ligji institucional, diskriminim dhe provokim të qëllimshëm”, shkruan Osmani në “X”.

Gazetari i njohur Seladin Xhezairi, që ka punuar prej shumë vitesh në mediat shqipe por edhe ndërkombëtare, përdor ironinë. “Sa do të doja ta përgënjështronin”, shkruan ai në rrjete sociale, duke publikuar dhe foton.

Ndërkaq, publicistja Nafie Selmani shkruan për tabelën:

“Sa e bukur kjo frëngjishtja” – mund të thotë e të arsyetohet VLEN-i. Burrat e VLEN-it po dëshmojnë çdo ditë se të deklarohesh shqiptar nuk mjafton për të qenë shqiptar në veprim. Të llomotisësh fjalë shqipe nuk do të thotë ta mbrosh gjuhën shqipe. Gjuha shqipe mbrohet me qëndrim dhe me mbrojtje të interesit shqiptar aty ku duhet. Edhe sa duhet t’i durojmë këto nënçmime?

Edhe sa duhet ta durojmë VLEN-in që flet në emër të shqiptarëve, por heshtin kur poshtërohet gjuha dhe dinjiteti ynë? A ka hala?"/TemA