TIRANE- Të gjitha dosjet e pronave do të kalojnë në rivlerësimin e çmimit. Në metodologjinë e re përcaktohet se vlerësimi financiar do të realizohet sipas titullit kadastral që ka pasur në momentin e shpronësimit. Ndërkohë që rishikimi i çmimit do të jetë për të gjitha pronat e sekuestruara pas datës 29.11.1944 dhe deri në vitin 1976 kur u miratua Kushtetuta. Rivlerësimi do të prekë dosjet që kanë një vendim por pa u kompesuar, dosjet që kanë kompensim të pjesshëm, por dhe ato dosje që janë në proces gjyqësor si në Shqipëri, por dhe ato që janë duke u trajtuar në Gjykatën e të Drejtave të Njeriut.

“Për efekt të ekzekutimi, të gjitha vendimet përfundimtare për kthimin dhe kompensimin e pronës, do t’i nënshtrohen vlerësimit financiar nga ATP-ja, si më poshtë vijon: prona e njohur për kompensimin vlerësohet në bazë të zërit kadastral që ka pasur në kohën e shpronësimit. Prona e kthyer vlerësohet duke e përcaktuar atë nga diferenca, që do të rezultojë midis vlerës së saj sipas zërit kadastral aktual dhe vlerës së kësaj prone sipas zërit kadastral në kohën e shpronësimit”, thuhet në nenin 6 të projektligjit të ndryshuar nga komisioni parlamentar i ligjeve.