VLORË - Nga efektivat e Komisariatit të Policisë Vlorë në vijimësi te planit operacional "Antikanabis" është bërë e mundur që gjatë 24 orëve të fundit të zbulohen dhe asgjësohen 1140 rrënjë bime narkotike kanabis në tre fshatra të ndryshëm.

Mësohet se në të tre fshatrat bima narkotike është mbjellë në tokë me pronësi publike.

Në fshatin Gërnec të Komunës Vllahinë është bërë e mundur që në vendin e quajtur "Përroi i zi" të zbulohen të kultivuara 180 rrënjë kanabis. Nga policia bëhet e ditur se bima narkotike ishte me lartësi deri në 2.1 m dhe ishte mbjellë në 2 parcela në tokë publike.

Në fshatin Kuç, të Komunës Hor-Vranisht u bë e mundur që në vendin e quajtur "Gryka e Kaçajve" të zbulohen të klktivuara 750 rrënjë kanabisi. Gjithashtu nga policia bëhet e ditur se bima narkotike ishte me lartësi  deri në 1.9 m dhe ishte kultivuar në 3 parcela të ndryshme në tokë në pronësi publike.
 
Ndërsa në fshatin Penkovë të Komunes Vllahinë, në pjesën veriore të këtij fshati janë zbuluar 210 rrënjë bime narkotike kanabis . Nga policia e qytetit bregdetar të Vlorës mësohet  se bima narkotike ishte me lartësi  deri ne 2 m dhe ishte kultivuar ne 7 parcela te ndryshme ne toke ne pronësi publike.
 
Redaksia Online
(a/h/shqiptarja.com)