VLORË - Drejtori i Inspektoratit Shtetëror të Punës, Dritan Ylli ka inspektuar kushtet e punës, në një prej ndërmarrjeve më të rëndësishme të sektorit fason në Shqipëri, si dhe zhvilloi dhe një takim bashkëbisedimi me përfaqësuesit më të rëndësishëm të sipërmarrjes private të qarkut të Vlorës.
 
Gjatë vizitës në një ndërmarrje të sektorit fason, e cila kishte 607 punonjës, kryesisht gra dhe vajza, takoi nga afër dhe bisedoi me punonjëset për kushtet e punës, si dhe për funksionimin e kontratës së punës.
 
Ai është njohur nga afër me mjediset higjenike, dhomat e ndërrimit të veshjeve, sikurse takoi dhe bashkëbisedoi me mjekun e ndërmarrjes, i cili ishte i punësuar me kohë të plotë në këtë subjekt.
 
Pas vizitës inspektuese, Ylli u shpreh mjaft i kënaqur për respektimin e kontratës së punës në këtë ndërmarrje, në mes të punëdhënësit dhe punëmarrësve, ku të gjithë punonjësit ishin të regjistruar në skemën e kontributeve të sigurimeve shoqërore.
 
Njëkohësisht Kreu i Inspektoratit të Punës, e vlerësoi praninë e shërbimit të mjekut me kohë të plotë në ndërmarrje, pasi sektori fason përmban një risk te larte gjithnjë, për sa i përket sëmundjeve profesionale.  
 
Redaksia online
(ac/shqiptarja.com)