TIRANE- Asnjë surprizë në Vlorë. Ashtu siç pritej koalicioni i majtë ka triumfuar me lehtësi në këtë bastion të tij. Kandidati i Aleancës për Shqipërinë Europiane, Dritan Leli do të jetë kryetari i ri Bashkisë së Vlorës, pasi ka fituar me 61.7% (30000 vota). Edhe këto zgjedhje Partia Demokratike nuk ka mundur që të ndryshojë fatin e saj në Vlorë, pavarësisht se kandidati i saj bëri një fushatë shumë të fortë. Genc Deromemaj nuk mundi të merrte më shumë se gjysma e votave të rivalit të majtë.

Kandidati i PD-së ka qëndruar pak a shumë në të njëjtat numra që ka marrë historikisht e djathta në Vlorë, duke marrë vetëm 33%. Ndërsa kandidati i pavarur Vasil Bedinaj ka marrë 5.3%. Në përgjithësi procesi i numërimit në Vlorë është kryer me rregullsi të plotë dhe nuk janë raportuar incidente. Mbase në këtë ka ndikuar edhe epërsia e thellë që pati që nga fillimi i numërimit kandidati i ASHE-së. Dritan Leli ka kryesuar me mbi 60% nga fillimi e deri në fund të numërimit. Bashkia e Vlorës pas dy mandatesh që është kryesuar nga Shpëtim Gjika do të drejtohet po nga Partia Socialiste, por këtë herë nga mjeku Dritan Leli.

Fieri
Armando Subashi është kryetari i ri i Bashkisë Fier. Ish-deputeti i Partisë Socialiste ka fituar si kandidat i ASHE-së me 54.8%, kundrejt kandidatit të djathtë, Enkelejd Alibeaj që mori 38.9%. Edhe në Fier, që njihet si një bastion i së majtës, e djathta nuk ka mundur për asnjë moment që të rivalizojë, pavarësisht se kandidoi një person me profil të lartë politik, si ish-ministri Alibeaj. Po kështu kandidati i tretë për Fierin, Albert Çaçi i Partisë Social Demokrate mori 6.3%. Kujtojmë se Bashkinë e Fierit e ka drejtuar për tre mandate resht Baftjar Zeqaj, i cili nuk u rikandidua nga Partia Socialiste.

Surprizë në Selenicë
Partia Demokratike ka thyer një bastion të së majtës si Selenica. Në kundërshtim me traditën në zgjedhjet 21 qershorit qytetarët e Selenicës dhe të fshatrave që janë përfshirë në bashkinë e re kanë preferuar Përparim Shametaj e propozuar nga APPD që fitoi ndaj kandidatit të majtë Kasëm Cenaj.

Nga ana tjetër në Kuçovë, Urë Vajgurore, Roskovec e Patos nuk ka pasur surpriza, pasi elektorati ka ruajtur trendin e zgjedhjeve të 2013 duke preferuar sërish të majtën. Juliana Memaj ka fituar për ASHE në Urën Vajgurore, Selfo Kapllani në Kuçovë, Majlinda Bufi në Roskovec, ndërsa në Patos fitoi Rajmonda Balilaj.


Shkrimi u botua në Shqiptarja.com (print) në 23 Qershor 2015

Redaksia Online
(d.a/shqiptarja.com)