Vlorë- Policia e Vlorës ka penalizuar gjatë javëve të fundit 25 persona nën akuzën "Ndërtim i paligjshëm", pjesa më e madhe e të cilëve janë proceduar dhe po hetohen në gjendje të lirë.
Dy ditë më parë, strukturat e policisë së komisariatit të këtij qyteti, arrestuan në kushtet e flagrancës 48 vjeçarin A.Maçaj, i cili po ndërtonte katin e dytë të banesës së tij në qytezën e Orikumit, duke mos u pajisur paraprakisht me lejen e organeve zyrtare përkatëse.
Burime zyrtare të policisë lokale bënë të ditur për ATSH-në se, rastet e ndërtimeve të paligjshme përbëjnë një nga prioritetet e punës së uniformave blu pas ndryshimeve të fundit ligjore. Aktualisht vlerësohet çdo informacion lidhur me raste të tilla dhe kryhen verifikimet përkatëse në terren. Kur rezulton se, qytetarë të ndryshëm realizojnë ndërtime të paligjshme, kryhen procedurat që parashikohen në kuadrin ligjor dhe në varësi të shkallës së natyrës së veprës penale, përcaktohet edhe lloji i penalitetit.
Në të gjitha restet e evidentuara, materialet proceduriale i janë referuar prokurorisë për veprën penale "Ndërtim i paligjshëm", parashikuar në nenin 199/a të Kodit Penal./ATSh/