Ministria e Punëve të Brendshme në bashkëpunim me Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Shtetit, në kuadër të rritjes së bashkëpunimit të policisë me publikun, kanë çelur sot në qytetin e Vlorës, Panairin  "Ditë e Hapur me Policinë e Shtetit’’.

Në këtë panair qytetarët do të kenë mundësinë të njihen nga afër me të gjithë potencialin e Policisë së Shtetit, detyrat dhe misionin e saj.

Në stenda janë të ekspozuara pajisje të Repartit të Forcave Speciale RENEA ( Reparti i Neutralizimit të Elementit të Armatosur’’, FNSH (Forcave të Ndërhyrjes së Shpejtë) si dhe Salla e Lëvizshme e Komandimit.

Në stendat e tjera janë Policia Rrugore, ajo e Hetimit të Krimit dhe Policisë Shkencore, e Sigurisë Publike (Zyrat e Shërbimit Qytetar, Shqiponjat), stenda e Kufirit dhe Migracionit si dhe ajo e Akademisë së Sigurisë.

Në qytetin bregdetar të Vlorës panairi do të qëndrojë i hapur për dy ditë, në datat 19 dhe 20 Gusht nga ora 17.00 deri në orën 24.00 pranë Sheshit Pavarësia.

Panairi  "Ditë e Hapur me Policinë e Shtetit’,’ ditën e diel në datën 21 Gusht do të jetë në qytetin e Himarës për të vijuar ditën e martë në datën 23 Gusht në Sarandë te Shëtitorja, pranë (Limanit).

Redaksia Online
XH.K/shqiptarja.com