TIRANE - Aksioni antikanabis i Policisë së Shtetit vijon në të gjithë vendin duke dhënë në cdo ditë rezultate të sekuestrimit të sasive të mëdha të bimëve narkotike. Gjatë ditës së sotme në qytetin begdetar të Vlorës dhe në Krujë janë zbuluar rreth 2 mijë rrënjë kanabis sativa të mbjella në parcela të fshatrave në zona të thella.

Monitorimi, vec informacioneve të grumbulluara nga shërbimet e policisë përgjatë kontrollit të territorit, është zhvilluar edhe nga ajri.

Ky aksion i policisë, vjen në një kohë kur në zona të ndryshme të territorit janë ushtruar kontrolle dhe janë asgjësuar sasi të konsiderueshme bimë kanabis sativa, si rezultat i masave të marra nga policia për parandalimin e kultivimit të lëndëve narkotike. 
 
Vlorë, zbulohen dhe asgjësohen 10 parcela me 600 rrënjë kanabis
Policia e Vlorës, në kuadër të planit operacional “Antikanabis” gjatë kontrollit të ushtruar në dy fshatra të ndryshme, ka mundur të zbulojë dhe asgjësojë 600 rrënjë bimë narkotike kanabis sativa.

Kështu në fshatin Treblovë të Komunës Armen, në vendin e quajtur “Përroi i Lamajve” janë gjetur të kultivuara në 3 parcela të ndryshme 250 rrënjë bimë narkotike me gjatësi 80-100 cm.
 
Ndërsa në fshatin Mazhar të Komunës Kotë, në vendin e quajtur “Hija e madhe”, “Gropa e Xhake” dhe “Driza e Vreshtës”  janë konstatuar 7 parcela të ndryshme 350  rrëjnë bime narkotike me lartësi nga 1 m – 1.8 m.
 
Materialet procedurale i kanë kaluar Prokurorisë për procedime të mëtejshme penale, ndërsa policia po punon për identifikimin dhe kapjen e autorëve përgjegjës për kultivimin e bimëve narkotike.

Kruje, asgjesohen 1030 rrënjën kanabis në 9 parcela, monitorim edhe nga ajri
Në rrethin e Krujës u identifikuan dhe u asgjesuan 9 parcela me 1030 rrënjë kanabis sativa.
 
Policia shpalli në kërkim shtetasin me inicialet P.C në bahçen e së cilit u konstatua një nga parcelat, ndërkohë që tre të tjera u evidentuan në afërsi të shtepisë së tij.

Për evidentimin e kësaj sipërfaqe të kultivuar me Kanabis Sativa kanë ndihmuar të dhënat e grumbulluara nga monitorimi nga ajri i territorit si dhe ato të grumbulluara nga shërbimet e Policisë përgjatë kontrollit të territorit.

Redaksia Online
(Gre.M/Shqiptarja.com)