"Millokopi", specia e peshkut që dikur ishte mjaft e preferuar për amatorët e peshkimit, sot pothuajse nuk ekziston më në gjirin detar të Vlorës. Prej disa vitesh, peshqit e këtij lloji janë tepër të rrallë.

Spiro Gega, një amator i vjetër i peshkimit, thotë për ATSH-në se, "millokopi" mund të cilësohet tashmë një specie pothuajse e zhdukur, si pasojë e gjuetisë pa kriter në vite, veçanërisht në periudhën e shumimit dhe përdorimit të dinamitit e formave të tjera të gjuetisë së paligjshme. Sipas Gegës, "millokopi" mjaft i ngjashëm me lavrakun, por me mish më të butë se ai, vlerësohej mes peshqve më të shijshëm, krahas koces, saraguasë etj. Ai arrinte në një peshë deri në 8-9 kg dhe gjuhej me rrjeta dhe grepa. "Ne amatorët e peshkut e gjuanim atë përgjatë gjithë bregut të detit, ku hidhnim grepat, nga Zvërneci në Orikum", kujton Gega. Sipas tij, kjo specie kishte edhe një alternativë, që emërtohej "korbi" dhe që rritej kryesisht në zonat barishtore të bregdetit të Orikumit, ndërsa vetë "millokopi" me ngjyrë normale të kuqërremtë, gjendej më shpesh në zonat e bregdetit ranor në pjesën veriore të bregdetit të gjirit të Vlorës. "Ato dalloheshin mes tyre vetëm nga ngjyra, sepse tek "korbi" mbizotëronte e zeza", sqaron Gega.

Amatorët e peshkimit e kërkonin dhe e gjuanin mjaft "millokopin", apo alternativën e tij "korbin", jo vetëm për cilësinë e mishit, por edhe për shijen dhe vlerat ushqyese.

Kjo specie, që rritet kryesisht në cektinë, u bë pre e gjuetisë pa kriter, çka bëri që pas viteve 1990, ajo të shkonte duke u pakësuar dhe prej disa vitesh, rezulton pothuajse e zhdukur. "Aktualisht, rrallë, shumë rrallë mund të ndodhë që një peshkatar të kapë një millokop. Kjo do të ishte një ngjarje e shënuar për të", tregon amatori i vjetër i peshkimit, Spiro Gega, duke shtuar se, vetë ai megjithëse del shumë shpesh me grepa në bregun e detit, nuk ka kapur prej vitesh një peshk të tillë./ATSH/