Vlorë- Një grua e moshuar ka rrezikuar sot (28 Janar) mbytjen në det, në rrethana dhe shkaqe që ende po hetohen nga policia vendore.
Ajo u dërgua me urgjencë drejt spitalit rajonal në orët e paradites. Sipas mjekëve, gruaja rreth të 80-ve ndodhet në gjendje të rëndë, në reanimacion. Por heronjtë që e shpëtuan mësohet se janë një çift turistësh nga Ukraina, të cilët thanë se dëgjuan thirrje për ndihmë dhe të bërtitura, duke u zhytur menjëherë në ujë.
Ngjarja ka ndodhur në zonën e Lungomares, në afërsi të portit të Vlorës.
“Ajo është nxjerrë nga uji, nga dy turistë, dhe më pas është transportuar në spital, ku ndodhet në kujdesin e mjekëve. Grupi hetimor vijon punën për identifikimin e shtetases dhe për zbardhjen e rrethanave të rastit”, tha policia vendore.
Gazetari i Report TV, Armand Xhelili, informon se gruaja ka rrezikuar të mbytet në det. Është nxjerrë nga uji në gjendje të rënduar nga personat e pranishëm në vendngjarje dhe është dërguar me shpejtësi drejt spitalit për mjekimin e duhur dhe të specializuar.
Në pamjet e siguruara shihet grupi i ndihmës së shpejtë të mjekëve të spitalit dhe policia që bëjnë ndërhyrjen e nevojshme për ta mbajtur në jetë dhe më pas transportimin me barelë dhe ambulancë drejt spitalit rajonal të Vlorës.
Policia po vijon hetimet për zbardhjen e identitetit të saj, rrethanave dhe motiveve të ngjarjes.