VLORE - Dy ditë pas parandalimit të një atentati në Tiranë dhe arrestimit të një vlonjati që dyshohet se ishte vrasës me pagesë, këtë radhë një atentat i mundshëm është parandaluar në qytetin bregdetar, ku u vunë në pranga dy persona. Burime pranë policisë së Vlorës thanë se dyshohet që të arrestuarit kishin plan të realizonin një atentat për larje hesapesh të vjetra.

Një aksion i policisë së qytetit bregdetar është finalizuar me sekuestrimin e një arsenali armësh, mes të cilave shotgan, kallashnikov, pistolete, plumba si dhe është bërë i mundur arrestimin i 30-vjeçarit Elidon Selmanaj banues në lagjen “Kushtrimi dhe 34-vjeçarit Anxhelo Sado, të cilët dyshohet se po përgatisnin një atentat. Ky i fundit sipas policisë në Vlorës është plagosur mbrëmë aksidentalisht me pistoletën e tij dhe është dërguar në spitalin e qytetit bregdetar.

“Nga veprimet e deritanishme të kryera nga grupi hetimor dyshohet se të dy këta persona në bashkëpunim me njëri-tjetrin kishin planifikuar për të kryer krim dhe gjatë momentit që do të ekzekutimi i planit të tyre kriminal, njëri prej tyre dhe pikërisht shtetasi Angjelo Sade, është vetplagosur në këmbë me armën e zjarrit tip automatik mod 56. Sqarojmë se në momentin e sekuestrimit të armëve të zjarrit të gjitha kanë qënë të mbushura dhe gati për tu përdorur nga personat e mësipërm”, thuhet në njoftimin zyrtar të Policisë së Vlorës.
 
Arsenali i armeve u gjet në një automjet tip Golf të parkuar në lagjen “Bashkimi” në Vlorë. Makina ishte me targa të një mjeti tjetër dhe dyshohet se do të përdorej për të kryer vrasjen. 

Po ashtu, policia sekuestroi  maska, pistoletë paralizuese, jelek antiplumb, dy targa makinash. Ende nuk dihet objektivi i këtij atentati, ndërsa policia e qytetit bregdetar vijon hetimet për të zbardhur plotësisht këtë ngjarje.
armet vlore

Policia sekuestroi:
    1 pistoletë TT
    1 pistoletë Gold
    2 selenciatorë
    1 automatik M-56, me dy krëhëra me fishekë
    1 maskë
    1 xhup i zi
    30 cop fishekë m-54, për TT
    1 telefon celular
    2 gëzhoja
    1 palë targa automjeti AA477BL, të cilat kanë rezultuar të vjedhura në qytetin e Fierit
    1 automjet tip Golf, ngjyrë e zezë me targë AA311ER i dyshuar si i vjedhur të cilit i janë fshirë numrat shasisë
    1 pistoletë paralizuese
    Sasi lënde narkotike kanabis sativa

Redaksia Online
(Shqiptarja.com)