VLORE-  I vendoset sekuestro preventive pasurive në vlerën 543 452 euro të një vlonjati me dyshimin se është përfituar nga veprimtaria kriminale. Në sekuestro janë vënë 2 apartamente banimi në Vlorë, 2 llogari bankare dhe 1 automjet Volksëagen në pronësi të Gazmend Shabanit, i dyshuar për kryerjen e veprës penale “Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”.

Ai është arrestuar në Itali në vitin 2017 për veprën penale "Trafikim narkotikësh" dhe dyshohet se këto pasuri i ka ngritur mbi bazën e këtyre veprimtarive të paligjshme. Seksioni për Hetimin e Krimit Ekonomik e Financiar pranë Policisë Vlorë, nën drejtimin e Prokurorisë së Vlorës, vendosën sekuestron preventive në ekzekutim të vendimit të Gjykatës së Shkallës së Parë Vlorë.

"Këto sekuestrime pasurore janë në kuadër të procedimit penal proaktiv të vitit 2017, ndaj G. B., si person i dyshuar për kryerjen e veprës penale “Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”. Në bashkëpunim me Prokurorinë, vijojnë veprimet e mëtejshme", njofton zyrtarisht policia e Vlorës.

Kush është Gazmen Shabani, njeriu që iu sekuestruar pasuria me vlerë prej 453 mijë €
Personit që i është sekuestruar pasuria në Vlorë quhet Gazmend Shabani, i arrestuar në vitin 2017 dhe dënuar nga drejtësia italiane për trafikim të lëndëve narkotike. Sipas gazetarit Elton Qyno, Shabani është kapur disa vite më parë në qytezën e Barletta në Itali me një sasi prej 1970 kg lëndë narkotike të llojit marjuanë. Kjo sasi droge është trafikuar nga Shqipëria në Itali, dhe pjesë e këtij grupi kriminal ka qenë dhe Gazmend Shabani. Pas konfirmimit të dënimit nga autoritet italiane, në Shqipëri dhe më konkretisht prokuroria e Vlorës ka nisur një hetim pasuror, ku gjatë verifikimeve është konstatuar se në emër të Gazmend Shabanit që momentalisht ndodhet në burg në Itali dhe vëllezërve të tij në Shqipëri, rezultojnë të regjistruara disa pasuri në vlerë monetare dhe kapitale. Nisur nga kjo situatë nga ana e policisë dhe prokurorisë së Vlorës është vlerësuar të merret masa e sekuestros prenvetive për 2 apartamente banimi në Vlorë, 2 llogari bankare dhe 1 automjet Volksëagen. Të gjitha këto pasuri kapin vlerën e 543 452 euro.