VLORË – Policia kufitare e Vlorës ka bërë të mundur kapjen e një gomoneje që vinte nga Italia dhe sekuestroi dy armë automatike të cilat ndodheshin në këtë mjet lundrues.

Sipas policisë së qytetit bregdetar, armët i përkasin trafikantëve të drogës, të cilët sapo kanë konstatuar forcat e policisë i kanë hedhur armët dhe janë larguar në drejtim të paditur. Pas një ndjekje nga forcat e policisë, gomonia zbarkoi në bregdetin e Zvërnecit. Personat që ndodheshin në mjetin lundrues braktisën armët dhe skafin. 

Aksioni i policisë u përqëndrua në zonën e Hoxhares gjatë kontrollit të vijës bregdetare me qëllim parandalimin e trafikut të lëndëve narkotike.

Lidhur me këtë ngjarje, policia ka shoqëruar në Komisariatin e Vlorës tre persona. Të shoqëruarit janë shtetasit me iniciale M.A 25 vjeç, K.D 28 vjeç dhe A.K 38 vjeç.

Shtetasi me iniciale A.K tentoi t’i largohej policisë me një automjet duke kaluar dy postblloqe, por u kap nga patrulla.


gomonia me armet
(Në foto: Gomonia e sekuestruar që vinte nga Italia dhe armët e braktisura) Foto të tjera


(v.gj/shqiptarja.com)