Policia Rrugore ka vendosur 9 masa administrative ndaj mjeteve të tonazhit të rëndë që qarkullonin me targa të huaja në qytetin e Vlorës.
Burime për Report Tv bëjnë të ditur se mjetet ndaj të cilëve janë vendosur këto masa, janë të kompanisë ‘2A Group’ të Valon Ademit, që transportojnë inerte në drejtim të Aeroportit që po ndërtohet në qytetin bregdetar.
Tre mjete janë gjobitur me nga 2.4 milionë lekë të vjetra për mos-vendosjen e tahografit. Pesë mjete të tjera janë gjobitur me nga 450 mijë lekë të vjetra për mungesën e mbulesës dhe daljen në rrugë të inerteve, ndërsa një mjet është gjobitur me 120 mijë lekë të vjetra për mungesë të targës në pjesën e pasme.
Drejtuesit kanë afat 15 ditë për të shlyer masat administrative me 15% ulje dhe për t’u paraqitur pranë Seksionit të Qarkullimit Rrugor për tërheqjen e dokumentacionit. Nëse brenda 30 ditëve masat administrative nuk shlyhen, Policia Rrugore do të vijojë me ndalimin administrativ të mjeteve.
Prej rreth një jave, punonjësit e kompanisë ‘2A Group’ të Valon Ademit po vijojnë përplasjet me punonjësit e kompanisë ‘Mabco’ të Behgjet Pacollit, teksa sëbashku me Policinë, nuk po i lejojnë këta të fundit që të hyjnë në godinën e Aeroportit që po ndërtohet në Vlorë.
Përplasja ndërmjet Behgjet Pacollit dhe Valon Ademit ka nisur në vjeshtën e 2025 për administrimin e VIA-s. Palët kishin firmosur një kontratë noteriale, sipas së cilës pjesa e “2A Group” do të rritej nga 2 në 49 %, por kjo kontratë nuk u regjistrua në QKB. “2A Group” iu drejtua gjykatës, e cila fillimisht bllokoi veprimtarinë e “Mabco” në asamble.
Një tjetër pikë është kontrata e kredisë prej 100 milionë eurosh që “Mabco” ka marrë nga fondi “Delphos”. Për këtë arsye, Valon Ademi hapi një tjetër proces gjyqësor, duke kërkuar pezullimin e çdo veprimtarie të ortakut, Pacolli. Gjykata e Apelit i njohu “2A Group” të drejtën e administrimit, me argumentin se vendimi parandalon tjetërsimin e aksioneve.
Komente










