Disa protestues kanë hyrë në ambientet e një fakulteti të Universitetit “Ismail Qemali” në Vlorë, duke u kërkuar studentëve të ndërpresin mësimin. Në godinë kanë ndërhyrë forcat e policisë, të cilat kanë vendosur një kordon te shkallët e katit të parë.
Policia njofton se ka shoqëruar 6 persona, të dyshuar si organizatorë të grupit që hyri në fakultet. Sipas saj, ndërhyrja është bërë pas një telefonate nga administratori i universitetit, i cili kishte raportuar se rreth 30–40 persona po pengonin zhvillimin e mësimit.
Ndërkohë, rektorja e Universitetit “Ismail Qemali”, Aurela Saliaj, e kontaktuar nga Report TV, ka deklaruar se nuk ka kërkuar ndërhyrjen e policisë. Ajo nuk përjashtoi mundësinë që telefonata të ishte bërë nga një anëtar i stafit.
Në sqarimin zyrtar, policia jep këtë version të ngjarjes:
"Në lidhje me disa video të publikuara në rrjetet sociale, ku shfaqen punonjës të Policisë në ambientet e brendshme të Universitetit “Ismail Qemali”, Vlorë, sqarojmë se:
Rreth orës 11:51, administratori i Universitetit “Ismail Qemali”, Vlorë, ka njoftuar Sallën Operative të DVP Vlorë për praninë e një grupi prej 30–40 personash, të moshave të ndryshme, të cilët po pengonin zhvillimin normal të procesit mësimor, në katin e parë të Fakultetit të Shkencave Kompjuterike.
Menjëherë pas marrjes së njoftimit, shërbimet e Policisë kanë shkuar në ambientet e fakultetit dhe kanë ndërhyrë për normalizimin e situatës, duke nxjerrë jashtë godinës personat që pengonin zhvillimin normal të procesit mësimor dhe studentët të ndiqnin leksionet në auditore.
Në vijim të veprimeve, janë shoqëruar në ambientet e Policisë 6 shtetas, të dyshuar si organizatorë të këtij grupimi.
Policia vijon veprimet për dokumentimin e plotë të rrethanave të rastit"
Lajmi kryesor:
LIVE TV- Protesta/ Të rinjtë e maskuar mësyjnë Gjykatën e Apelit, thyejnë xhamat dhe futen brenda! Policia i ndjek ‘këmba-këmbës’, shpërndahen nëpër rrugë








