Gjimnazi “Ali Demi” ku Leandro Shametaj ishte nxënës i vitit të tretë nuk është më si më parë.
Në vend të ftesës “Mirësevini nxënës të dashur”, në hyrjen kryesore është vendosur një mesazh dhimbjeje e ngushëllimi për 17-vjeçarin, i cili humbi jetën tragjikisht një ditë më parë në një aksident.
Nxënës e mësues, lanë mësimin dhe përcollën për në banesën e fundit të riun, të cilin do ta kujtojnë si një nxënës shembullor e të edukuar.
“Nuk e prisnim. Ndihemi shumë keq. Sot ishte shumë bosh”, tha një nxënëse.
“Sot nuk bëmë mësim. E përcollëm në banesën e fundit. Ishte një fëmijë i edukuar, i qetë. Ishte nxënës që nuk e linte mësimin dhe në kohën e lirë punonte”, tha një mësuese.
“Ishte një djalë shembullor, dinte të respektonte. Edhe me mësimet ishte mirë”, tha një nxënëse tjetër.
Vëllai binjak i Leandros është në gjendje të rëndë psikologjike për humbjen tragjike të gjysmës së tij, e po ashtu edhe prindërit dhe vëllai i vogël. E vetmja gjë që do t’i ngushëllonte sadopak, do të ishte drejtësia.
17-vjeçari Leandro Shametaj humbi jetën tragjikisht pak pas mesnatës së të hënës, teksa kthehej nga puna. Motori me të cilin udhëtonte, u përplas nga një automjet tip Porsche, me drejtues 32-vjeçarin Haiti Bajramaj, i cili ishte në gjendje të dehur dhe u arrestua në flagrancë.
Komente








