Vlorë, 15 shtator/ATSH-Harilla Koçi/.- Projekti KEPASS, me qendër në Vlorë, i financuar me fonde të BE-së, në fokus të të cilit është shkëmbimi i njohurive dhe metodave të mësimdhënies midis shkollave në rajonin e Adriatikut, ka nisur ditën e hënë.
 Ky projekt, Knowledge Exchange Program Students in Adriatic Area, që po zbatohet nga Agjencia e Zhvillimit Ekonomik Lokal, AULEDA, synon akreditimin e shkollave të mesme të përgjithshme në një sistem unik mësimdhënieje, me module dhe standarte evropiane. Kreditet e fituara nga studentët do të jene të trasferueshme dhe do të njihen nga të gjitha shkollat e akredituara në Shqipëri dhe vendet e përfshira në projekt. Në KEPASS janë përfshirë shkollat e mesme të Italisë, Sllovenisë, Bosnje Hercegovinës, Malit të Zi, Kroacisë dhe Shqipërisë.
 Sipas drejtoreshës së Agjencisë së Zhvillimit Ekonomik Lokal, AULEDA, Mirela Koçi, ideja e këtij projekti është që për një periudhë 3 mujore të ofrohet procesi i mësimdhënies dhe të ketë shkëmbim mobilitetesh, midis nxënësve të vendeve të ndryshme.
 Nga Shqipëria kanë shkuar 19 nxënës në rajonin e Adriatikut, të cilët do të studiojnë në gjuhën angleze, apo italiane. Këta nxënës u përzgjodhën, përmes një procesi të gjatë, pas aplikimit, intervistimit me shkrim dhe me gojë. Nga ana tjetër, në Vlorë kanë ardhur 12 nxënës që do të studiojnë në shkollën "Ali Demi" dhe në shkollën "Internacional". Këta nxënës janë akomoduar në familje shqiptare sepse kjo do të jetë  një mundësi për t'u njohur me stilin e jetesës, me zakonet e traditat.
  "Pra, është një proces shkëmbimi i ndërsjelltë i kulturës dhe mësimdhënies", thekson zonja Koçi. Ajo sqaron se, klasat në Vlorë do të jenë me 20-25 nxënës, ku përfshihen edhe ata të shkollave "Ali Demi" e "Internacional", të cilët janë përzgjedhur përmes një procesi konkurimi, ku një vend të veçantë në vlerësimin përfundimtar zinte njohja e gjuhëve angleze dhe italiane, aftësia për të punuar në grup etj.
Pak kohë më parë, zv/ministrja e Arsimit dhe Sportit, Nora Malaj, zhvilloi një sërë takimesh në Itali e Slloveni, në kuadrin e bashkëpunimit rajonal në fushën e arsimit dhe edukimit të të rinjve.
  "Projekti KEPASS është një mënyrë për të zgjeruar njohuritë, për t'u integruar, për njohjen reciproke mes dy vendeve. Këto janë piketat e para të një bashkëpunimi që duhet të zgjerohet më tej në të ardhmen", theksoi Malaj.
 Sipas Malajt, duke u zbatuar në Qarkun e Vlorës, ky projekt krijon mundësitë që të rinjtë të bëhen ambasadorë të politikës së zhvillimit të prioritetetit të qeverisë në drejtim të kapitalit human, duke treguar që, jo vetëm turizmi, por edhe qasja e shkencave aplikative dhe e raporteve humane tregon që standardi i sistemit tonë të arsimit, tashmë matet me kornizën dhe vlerësimin evropian.
  "Përmes këtij projekti dhe të tjera aktiviteteve të realizuara nga Agjencia AULEDA, tregohet se pikërisht shkollat tona kthehen në qendra komunitare atëhere kur kanë dëshirë, energji dhe sinergji pozitive për të realizuar produktin e përbashkët", shtoi zv/ministrja Malaj. /a.r//a.ke/