VLORË- Nisi si një ‘sherr banal’ për kalin pothuajse fiks 3 vite më parë që i mori jetën Arben Beqirajt në Vlorë, por saga e hakmarrjes vazhdon! Shpati Lena, 37-vjeç dhe Hakim Xhezo, 34 vjeç, vëllai i Eduard Xhezos aktualisht në burg për vrasjen e biznesmenit Arben Beqiraj, u ekzekutuan sot me breshëri plumbash tek mbikalimi i Panajas në Vlorë.

Autorët, të cilët dyshohet se janë vrasës më pagesë, i kanë prerë rrugën makinës tip ‘Mercedez Benz’ më të cilën udhëtonin dy viktimat, me qëllim uljen e shpejtësisë. Sapo kanë dalë paralel me makinën, 2 prej tyre, të cilët ishin pasagjerë, pasi njëri drejtonte mjetin, kanë zbrazur mbi 30 plumba me kallashnikovë, në drejtim të mjetit që po udhëtonte Shpati Lena dhe Hakim Xhezo, duke i lënë të vdekur në vend. Pasi u qëlluan me breshëri kallashnikovi, mjeti i tyre i bërë ‘shoshë’ nga plumbat dhe i mbuluar nga gjaku, doli rruga duke ecur mbi 200 metra dhe përfundoi në një kanal.

Viktima Shpati Lena lëvizte nëpër Vlorë me makinë të blinduar, pasi siç duket i ruhej një atentati, por jo sot kur e vranë në autostradën Fier-Vlorë! Pak minuta më vonë policia e Vlorës u njoftua për një makinë tip BMV me targa italiane, në fshatin Frakull të Çerven, në aksin Levan-Tepelenë, që dyshohet e autorëve. Brenda mjetit u gjetën tre kallshnikovë. Policia e Vlorës ka shoqëruar 8 persona që mund të kenë dijeni apo lidhje me ngjarjen.

Vrasja pas një sherri për kalin që mund t’i këtë marrë jetën Shpati Lenës dhe Hakim Xhezos
Atenati me dy viktimat sot në Vlorë, dyshohet se ka lidhje me një ngjarje kriminale të ndodhur në 4 gusht të vitit 2019 në zonën e plazhit në qytetin bregdetar. Pikërisht vrasja e biznesmenit Arben Beqiraj, plagosja e djalit të tij Erigert Beqirajt dhe nipit të tij Nesim Hodajt, nga Eduart Xhezo, pas një sherri për kalin në pronësi të autorit, dyshohet se mund të jetë shkaku i atentati ku u ekzekutua Shpati Lena dhe Hakim Xhezo. Shpati Lena ishte miku i ngushtë, ndërsa Hakim Xhezo është i vëllai i pronarit të kalit, Eduart Xhezos. I vëllai nuk rezulton i përfshirë në ngjarjen e 4 gushtit, por mund të jetë vrarë për hakmarrje ndaj Eduartit, i cili po vuan dënimin me burg. Shpati Lena u arrestua në mars të këtij viti, për ‘përkrahje të autorit’, ndërsa u la nga gjykata me masën ‘detyrim paraqitje’.

*Raportuan lajmin për Shqiptarja.com gazetarët e Report Tv Armand Xhelili dhe Arsen Rusta

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 15:25
Atentati me dy viktima sot në autostradën Fier-Vlorë, policia kontroll në disa banesa

 

Policia po zhvillon kontrolle në disa banesa pas ekzekutimit të Shpati Lena, 37-vjeç dhe Hakim Xhezo, 34 vjeç në autostradën Fier-Vlorë. Në kontrolle ka marrë pjesë edhe FNSH, ndërsa mësohet se janë kontrolluar edhe banesa të familjarëve dhe të afërmve të Arben Beqirajt, i ekzekutuar më 2019.

Ora 13:52
Atentati me 2 të vrarë në Vlorë, shoqërohen 8 persona, dyshohet nga vrasës me pagesë! Iu prenë rrugën dhe i qëlluan paralel

1660817701_Screenshot1.jpg

8 persona janë shoqëruar pas atentatit që ndodhi mëngjesin e sotëm në Vlorë, ku mbetën të vrarë 2 Shpati Lena dhe Hakim Xhezo. Ndërkohë dyshohet se vrasësit janë me pagesë. Sipas burimeve për Report Tv, autorët dyshohet se u kanë prerë rrugën viktimave dhe i kanë qëlluar paralel.

Ora 12:32
E mbuluar nga gjaku dhe e bërë shoshë nga plumbat, Report Tv siguron pamjet e makinës së viktimave në Vlorë (VIDEO)

 

E mbuluar nga gjaku dhe e bërë shoshë nga plumbat. Këto janë pamjet e makinës me të cilën po udhëtonin Shpati Lena dhe Hakim Xhezo, kur u ekzekutuan nën breshërinë e kallashnikovit paraditen e sotme në autostradën Fier-Vlorë.

1660818688_Capture.JPG

Ora 12:07
U vranë sot, viktimat lëviznin me makinë të blinduar! Autorët i pikasën sapo ndërruan automjet

1660814815_Screenshot1.jpg

Shpati Lena dhe Hakim Xhezo që u vranë sot në atentat në Vlorë lëviznin me makinë të blinduar. Autorët duket se kanë qenë duke i ruajtur dhe sapo kanë vënë re që kishin marrë automjet tjetër, kanë vënë në zbatim planin për atentat.

Ora 11:31
VIDEO e arrestimit/ Sot u ekzekutua në Vlorë, Shpati Lena u prangos 5 muaj më parë por u lirua më pas gjykata!

 

Shpati Lena, i vrarë sot në atentatin në Panaja të Vlorës, u arrestua 23 marsin e kaluar nga policia dhe më pas u lirua nga gjykata. Ai u prangos me 2 të tjerë, ndërsa ishin duke lëvizur me automjet në zonën e Ujit të Ftohtë të dyshuar për ngjarjen e ndodhur në 4 gusht 2019 në Plazhin e Vjetër, ku mbeti i vrarë Arben Beqiraj dhe u plagosur djali i tij dhe një i afërm i tyre. Gjatë operacionit për arrestimin e tyre iu sekuestruan edhe 2 armë zjarri pistoletë dhe municion luftarak.

Sipas dokumentit të siguruar nga gazetari i Report Tv Arsen Rusta gjykata e cilësoi të ligjshëm arrestin por i la masë arresti vetëm 'detyrim paraqitje'. 

Vendimi i gjykatës
Ora 11:29
Sherri për kalin në 2019, Shpati Lena dhe Hakim Xhezo që u vranë sot, shoku dhe vëllai i Eduart Xhezos! Ekzekutoi 'Arbenin e Çeçesë' se i rrahu rojen

Atentati me 2 viktima sot në Vlorë duket se ishte hakmarrje e mirëmenduar dhe e planifikuar prej kohësh pasi lidhet me një tjetër ngjarje kriminale të ndodhur më 4 gusht të vitit 2019. Vrasja e Arben Beqirajt pas një sherri për kalin në pronësi të Eduart Xhezos mund të jetë shkaku i atentatit në Panaja të Vlorës, ku mbetën të vdekur Shpati Lena dhe Hakim Xhezo, të cilët u ekzekutuan me breshëri plumbash. Lena ishte miku ndërsa Hakim Xhezo është i vëllai i pronarit të kalit, Eduartit. I vëllai nuk rezulton i përfshirë në ngjarjen e 4 gushtit por mund të jetë vrarë për hakmarrje ndaj Eduartit, i cili po vuan dënimin me burg.

Si ndodhi ngjarja në 2019

Atentati i sotëm dyshohet të ketë lidhje me vrasjen e Arben Beqirajt pas një sherri për kalin në pronësi të Eduart Xhezos. Kali i prishi qetësinë disa pushuesve që po bënin plazh në muajin gusht në Vlorë, ndaj Arben Beqiraj me grupin e tij rrahën rojen Gazmend Alushi.

Gazmend Alushi, i cili paguhej 100 mijë lek të vjetra në muaj nga Ermal allias Eduart Xhezo për kujdesin ndaj kalit, është dhunuar me grushte e shkelma në 4 gusht 2019 nga Arben Beqiraj, djali i tij dhe persona të tjerë familjarë që ndodheshin në lokalin e tyre.

Fill pasi ka shpëtuar nga rrahja, Gazmendi ka shkuar në banesën e tij, ku aty i kishte shkuar Ermali duke e pyetur se kush e kishte rrahur, dhe Alushi i ka pohuar se ishte dhunuar nga “Arbeni i Çeçesë”. Ermal Xhezo është vënë në lëvizje, ka mobilizuar shokët e tij si Shpati Lena dhe kunatin e tij Ariel Kingji, ku të gjithë janë armatosur me automatikë dhe pistoleta, duke shkuar në ambientet e lokalit të Arben Beqiraj, për tu sqaruar lidhur me rrahjen që ata i kishin bërë kujdestarit të kalit të Ermal Xhezos.

Teksa kanë shkuar për tu sqaruar, janë ulur 3 minuta në një tavolinë dhe më pas kanë nisur përplasjet fizike deri në përdorimin e armëve, duke sjellë vrasjen e Arben Beqirajt dhe plagosjen e djalit të tij dhe Nesim Hodaj. Kjo ngjarje tronditi qytetin e Vlorës në pikun e sezonit turistik, ndërkohë që personat e përfshirë në këtë ngjarje kriminale si Ariel Kingji, Kristi Dolli dhe Shpati Lena u arrestuan nga policia. 

Momenti i arrestimit të Shpati Lenës

Shpati Lena, i vrarë sot në atentatin në Panaja të Vlorës, u arrestua më 23 mars të këtij viti pas më shumë se 3 vitesh në kërkim. Ai u prangos me 2 të tjerë, ndërsa ishin duke lëvizur me automjet në zonën e Ujit të Ftohtë të dyshuar për ngjarjen e ndodhur në 4 gusht 2019 në Plazhin e Vjetër, ku mbeti i vrarë Arben Beqiraj dhe u plagosdjali i tij dhe një i afërm i tyre. Gjatë operacionit për arrestimin e tyre iu sekuestruan edhe 2 armë zjarri pistoletë dhe municion luftarak.

Lirimi i Shpati Lenës

Tre persona u arrestuan për vrasjen e Arben Beqirajt më 23 mars të këtij viti, Gjykata e Vlorës vendosi masën e sigurisë ‘arrest me burg’, për Ariel Kingjin dhe Kristi Drollin, ndërsa ka vendosur masën “detyrim paraqitje” për shtetasin Shpati Lena. Në kuadër të operacionit “Waves” (dallgët), u bë arrestimi i Ariel Kingjit, 21 vjeç, Shpati Lena 37 vjeç dhe Gazmend Alushi 50 vjeç, të cilët të tre kishin armë me vete.

Ora 11:19
Zbulohet identiteti i viktimës së dytë të atentatit në Vlorë

1660814815_Screenshot1.jpg

Report Tv ka zbardhur identitetin e viktimës së dytë në atentatin e sotëm në Vlorë. Hakim Xhezo është viktima tjetër, ndërsa më herët u mësua se viktimë ka mbetur edhe Shpati Lena.

Ora 11:09
Atentati me 2 të vrarë në Vlorë, BMW që u përdor nga autorët ishte vjedhur disa javë më parë në Durrës

1660812180_2803b0ea675c4212bd8c892571d11231.jpg

Automjeti tip BMW që u përdor për atentatin me 2 viktima në Vlorë ishte vjedhur në Durrës para disa javësh. Makina nuk kishte targa. Menjëherë pasi qëlluan me breshëri armësh drejt makinës me të cilën po lëviznin 2 viktima, njëri prej të cilëve është identifikuar si Shpati Lena, autorët kanë braktisur BMW në Frakull të Fierit.

Ata i kanë vënë flakën makinës brenda së cilës lanë edhe 3 kallashnikov dhe janë larguar me shpejtësi. Kjo është thuajse e njëjta skemë që përdoret në çdo atentat në Shqipëri.

Ora 11:08
Atentati me dy të vrarë në Vlorë, zbulohet identiteti i një prej viktimave

Gazetari i Report Tv Arsen Rusta ka mësuar identitetin e një prej viktimave të atentatit në Vlorë.  Njëri prej viktimave është Shpati Lena, ndërsa dyshohet se janë nga Vlorë. Shpati Lena nuk është një emër i panjohur për policinë, kjo pasi ka qenë arrestuar më parë si i përfshirë në vrasjen ku mbeti i vrarë pronari i lokalit në plazhin e Vlorë Arben Beqiraj. Ngjarje e ndodhur në gusht të vitit 2019. Grupi i Shpati Lenës, vrau Arben Beqirajn pas një sherri për kalin e Eduart Xhezos që hyri në plazh.

Ora 10:54
Atentati me 2 të vrarë në Vlorë, policia jep detajet zyrtare! Makina e autorëve pa targa

1660812709_PANAJA5.jpg

Policia e Vlorës ka dhënë detajet e para për ngjarjen e rëndë të ndodhur në Vlorë, ku u vranë 2 të rinj.

“Sot, rreth orës 09:50, në dalje të fshatit Panaja, në aksin rrugor Fier-Vlorë, në rrethana ende të pa qarta, dyshohet se janë vrarë me armë zjarri, dy shtetas ende të paidentifikuar, të cilët ndodhen brenda një automjeti tip "Benz". Gjatë krehjes së zonës, në fshatin Çerven, në aksin rrugor Levan-Tepelenë, nga shërbimet e Policisë është konstatuar duke u djegur një automjet i braktisur tip "BMË", pa targa, i cili paraprakisht dyshohet se mund të jetë i autorit/ve të ngjarjes.  Nga këqyrja paraprake e automjetit dallohen në brendësi të tij, 3 armë zjarri automatike. Grupi hetimor nën drejtimin e Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Vlorë ndodhet në vendin e ngjarjes, ku vijon puna për zbardhjen dhe dokumentin e plotë të rrethanave të ngjarjes, identifikimin dhe kapjen e autorit/ve, si dhe identifikimin e dy shtetasve të gjendur pa shenja jete. Shërbimet e Policisë së DVP Vlorë, Delta Forcës e FNSH-së, në bashkëpunim me DVP Fier  kanë  ngritur pika kontrolli  dhe po krehin zonën  për të bërë të mundur kapjen e autorëve”, thuhet në njoftimin e policisë.

Ora 10:51
Kallashnikovi në makinën e shkrumbuar, një prej armëve të krimit të rëndë në Vlorë

1660812559_8da0f1bc2de249989860e17052e243e6.jpg

Në këtë foto të siguruar ekskluzivisht nga gazetari i Report Tv Arsen Rusta duket që në makinën e shkrumbuar totalisht që dyshohet e autorëve të vrasjes së Panaja të Vlorës një kallashnikov edhe ai i djegur. Në makinë janë gjetur 3 armë automatike.

Ora 10:47
Atentati në Vlorë, momenti kur trupat e pajetë nxirren nga makina (VIDEO)

Dy trupat e pajetë të cilët u vranë nga një atentat mafioz në aksin Fier-Vlorë, në afërsi të mbikalimit të Panajasë, janë nxjerrë nga makina, e cila pasi është qëlluar me breshëri plumbash ka përfunduar në një kanal.

Ora 10:44
Vrasje në Vlorë, 3 armë automatike gjenden brenda BMW-së së djegur, e shkrumbuar totalisht

1660812180_2803b0ea675c4212bd8c892571d11231.jpg

3 armë automatike janë gjetur në automjetin tip BMW i gjetur i djegur totalisht në Frakull të Fierit dhe që dyshohet se është i autorëve të vrasjes së 2 personave në Panaja të Vlorës.

Ora 10:38
Dy të rinj të vrarë në Vlorë, shkak dyshohet përplasja për trafikun e drogës! Makina e tyre u qëllua me mbi 30 plumba

 

Mbi 30 plumba janë shkrepur në drejtim të makinës ku udhëtonin viktimat të cila mbetën të vdekur pas një atentati mëngjesin e sotëm në Vlorë në aksin Fier-Vlorë.

Gazetari i Report Tv, Arsen Rusta, raporton se shkak dyshohet përplasja e grupeve kriminale për trafikun e drogës. Përplasja për trafikun e drogës i ka marrë jetën 2 të rinjve.

Ora 10:20
Atentat me 2 të vrarë në Vlorë, dalin pamjet nga vendi i ngjarjes! Trupat e viktimave ende në makinë

Report Tv ka siguruar pamjet nga vendi i ngjarjes së atentatit në By-pass-in e Vlorës mëngjesin e sotëm, ku kanë mbetur të vdekur dy persona. Siç shihet nga pamjet makina është bërë shoshë nga plumbat, ndërsa trupat e dy viktimave ndodhen ende në mjet. Pasi mjeti i tyre është qëlluar me breshëri kallashnikovi, teksa po udhëtonin në afërsi të mbikalimit të Panajas, mjeti ka përfunduar në një kanal.

Ora 10:17
2 të vdekur, bilanci i atentatit në Vlorë! 3 dyshohet se ishin autorët

Report Tv mëson se 3 kanë qenë autorët e atentatit në Vlorë para pak minutash. Kjo sipas dëshmitarëve në vendngjarje.

Ndërkohë që janë 2 viktimat e atentatit. 

Ora 10:04
Gjendet makina e djegur në Frakull të Fierit, dyshohet se i përket autorëve të atentatit në Vlorë (VIDEO)

Një makinë është gjetur e djegur në Frakull të Fierit. Dyshohet se i përket autorëve, të cilët ekzekutuan 2 persona në Panaja të Vlorës.