VLORË - Një operacion policor zbuloi dhe goditi dy raste të trafikimit të personave të rritur nga Ukraina. Pjesëtarët e këtij rrjeti rekrutonin shtetas ukrainas në vende të ndryshme të Europës dhe i sillnin në Shqipëri, ku i privonin nga dokumentet e udhëtimit dhe i detyronin të kryenin aktivitete të kundërligjshme, sqaroi në deklaratën për mediat drejtori i policisë së Vlorës, Elidon Çela.
Personat e trafikuar, përmes kërcënimeve dhe dhunës fizike e psikologjike, detyroheshin të angazhoheshin në rekrutimin e individëve të tjerë përmes rrjeteve sociale. Viktimat më pas përdoreshin për veprimtari kriminale, si shpërndarja dhe trafikimi i lëndëve narkotike në vendet europiane.
Drejtori Çela tha se ende nuk ka indicie se mund të jenë përfshirë shtetas shqiptarë apo qytetarë të Vlorës në këtë rrjet, megjithatë ende po hetohet nga prokurori i çështjes Erion Murataj.
'Gjatë këtij operacioni u goditën dy raste të trafikimit të personave të rritur nga shteti i Ukrainës. Pjesëtarët e këtij rrjeti trafikimi rekrutonin në vende të ndryshme të Europës, kryesisht shtetas nga Ukraina, duke i sjellë në Shqipëri, ku më pas u mbanin dokumentet e udhëtimit dhe i shfrytëzonin për të kryer veprimtari të kundërligjshme.
Personat e trafikuar detyroheshin përmes kërcënimeve dhe përdorimit të dhunës fizike dhe psikologjike, për t’u angazhuar në marketingun e rekrutimit të individëve të tjerë në vendet e Europës, duke përdorur platforma të ndryshme të rrjeteve sociale, me qëllimin për t’i shfrytëzuar më pas për veprimtari kriminale, si shpërndarja dhe trafikimi i lëndëve narkotike, që kryheshin gjithashtu në vendet europiane' deklaroi Çela.
Ndërkohë, shtetasi K. M., 35 vjeç, banues në Poloni, është shpallur në kërkim.
Autoritetet shoqëruan 19 shtetas ukrainas, të moshës 18-26 vjeç, të cilët ishin viktima të kësaj veprimtarie kriminale.
Të gjitha pajisjet do të analizohen nga Instituti i Policisë Shkencore në Tiranë për të zbuluar të dhëna të mëtejshme mbi rrjetin kriminal.
Lajmi në përditësim...
Një grup kriminal me shtetas ukrainas me bazë në Vlorë që merrej me rekrutimin e shpërndarësve të drogës dhe trafikimin e personave të rritur është goditur nga policia e këtij qyteti. Forcat blu publikuan pamjet e bazës së këtij grupi ku janë sekuestruar 18 laptopë, 23 pasaporta udhëtimi, 4 karta ID dhe 23 aparate celularë, të cilat do t’i nënshtrohen ekzaminimeve të mëtejshme laboratorike në Institutin e Policisë Shkencore në Tiranë.
Në total janë shoqëruar dhe 19 shtetas ukrainas, të moshës nga 18 deri në 26 vjeç, të cilët kanë qenë viktima të kësaj veprimtarie kriminale dhe janë kryer veprime procedurale me qëllim dokumentimin ligjor të kësaj veprimtarie kriminale.