Vlorë, 17 shtator/ATSH-Harilla Koçi/.-Të martën, në hapësirën e gjirit detar të Vlorës u zhvillua stërvitja "Imponimi-2014", ku morën pjesë mjete lundruese të Flotiljes Detare Pashaliman me katër anije, trupa nga Batalioni Special dhe dy helikopterë.
Qëllimi i kësaj stërvitje ishte bashkërendimi i veprimeve të Forces Detare, Forcës Ajrore dhe Forcave Speciale gjatë operacioneve për zbatimin e ligjshmërisë Detare.
Në këtë stërvitje u zbatuan dy skenarë, nga të cilët njeri ishte bllokimi i një anijeje kontrabandë nga mjetet e Rojes Bregdetare dhe tjetri, në rastin kur një grup terrorist ka bllokuar një anije transporti, duke marrë peng ekipazhin.
Fillimisht ndërhynë mjetet dhe efektivat e Rojes Bregdetare, të cilat u shoqëruan nga veprimet e forcave speciale që mbërritën në vendin e ngjarjes me helikopterë. Skena ngjasonte me atë të një ngjarjeje reale, kur mjetet dhe forcat e përfshira në operacion arritën të neutralizonin grupin terrorist brenda një kohe të shkurtër, me veprime të shpejta.
Në këtë stërvitje ishin të pranishëm edhe Shefi i Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura të Republikës së Shqipërisë, Gjeneral Major, Jeronim Bazo dhe Komandanti i Forcave Detare, Gjeneral Brigade, Qemal Shkurti.
Në fjalën e tyre, dy drejtuesit e lartë vlerësuan rritjen e kapaciteteve operacionale të forcave detare dhe atyre ajrore, ndërkohë që theksuan se Shqipëria disponon kapacitetet e nevojshme për të zhvilluar operacione të kësaj natyre. /a.ke/