Inez Hajrulla, një person që konsiderohet nga policia e Vlorës si kontigjent kriminal dhe që nga nëntori 2017 jeton invalid pasi njëra këmbë, i është këputur gjatë një atentati me tritol në makinë, i ka shpëtuar serish një atentati të planifikuar kundër tij këtë të premten rreth orës 11:00 në Vlorë. Hajrulla po qëndronte në në një kafene në kompleksin “Oslo” në zonën e Lungomares, në shoqërinë e dy personave të tjerë, kur papritur nga dy makina janë lëshuar breshëri automatiku.

Qitësit me sa duket kanë qenë amatorë, pasi asnjë nga plumbat nuk ka kapur objektivin, por është plagosur krejt rastësisht një punonjës i bashkisë së Vlorës i quajtur Dajko Cenodemaj, 58 vjeç, i cili po pinte kafe me tre miq të tij. Ai ndodhet jashtë rrezikut për jetën, ndërkohë vetë Hajrulla nuk ka pësuar asnjë lëndim. Autorët janë larguar duke i djegur dy makinat në zonës e Babicës, njëra prej të cilëve Land Rover, që nga hetimet rezultoi të ishte me targa të vjedhura ku dhe janë sekuestruar dy automatikë të djegur.

27-vjeçari Hajrulla, djalë i biznesmenit vlonjat, Robert Hajrulla, njihet si person me rrezikshmëri në Vlorë, ndërkohë lokali dhe zona ku qëndronte ai, konsiderohet nga policia si zona bazë e grupit të Edison Harizaj, i vrarë në nëntor 2018 në një atentat në Durrës.  Bizneset në këtë zonë kryesisht janë të pajisur me kamera sigurie dhe pritet të shihet nëse në filmime do të jenë pikasur autorët e kësaj ngjarje.

Policia, e cila ngriti postblloqe, kreu kontrolle për kapjen e autorëve në kodrat e Babicës dhe të Bunavisë dhe në fshatrat rreth Vlorës, ku dyshohet se autoret morën drejtim, ndërsa dyshohet të kenë qenë tre persona të përfshirë.

Ngjarja ka ngjallur panik edhe tek personat në lokal, të cilët në momentin e breshërisë janë ulur poshtë tavolinave ose janë futur me shpejtësi brenda. /SKEDA e Hajrullës

Makina Land Rover e gjetur e djegur në Babicë

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 13:57
Flet i plagosuri në Vlorë: Po pija kafe me shokët. Menduam se ishin fishekzjarrë, por po qëllohej me breshëri automatiku (VIDEO)

Personi që mbeti i plagosur me plumb në këmbë në momentin që nga dy makina qëllohej me breshëri automatiku, është Dajko Cenodemaj, një burrë që po pinte kafe me shokët në një lokal pranë përplasjes së armatosur. 58-vjeçari, i cili është punonjës i Bashkisë së Vlorës, ka marrë mjekim në spital dhe ndodhet jashtë rrezikut për jetën. Në një prononcim për gazetarët ai tregon atë se çfarë pa me sytë e tij. 

"Po pija kafe me tre shokë. Dëgjuam të shtënat përballë nesh. Ne thamë se ishin fishekzjarrë, kur e pamë që ishin armë, qëlloheshin nga të dyja krahët. Edhe nga fuoristrada, edhe ata të tjerët, pastaj po vinin edhe në këmbë disa djem. U futëm të gjithë brenda. Kur u futëm brenda pash gjakun që po më rridhte nga këmbët, aty shoh që kisha marrë plumb në këmbë. Më mori një shokë me makinë me solli në spital", shprehet Dajko Cenodemaj.