2 dënimet e gjykatës për Hajrullën /Dëshmitari i fundit: Elvin Troqe do takonte Inezin

I riu Inez Hajrulla, shenjester e atentatit sot ne Vlore, i ka shpëtuar më parë dhe dy atentateve të tjera në Vlorë, ndërkohë emri i tij ekziston në kartotekën kriminale të policisë së Vlorës si i dyshuar për disa ngjarje të rënda në Vlorë. Gjithashtu nga gjykata e Vlorës Hajrulla është dënuar në 5 shkurt 2018 me 2 vite burgim për akuzën e “Mosbindja ndaj urdhrit të punonjësit të policisë së rendit publik” dhe “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit”. Por ky dënim me burgim është pezulluar duke e kaluar Inezin në shërbim prove. Por në 28 dhjetor 2018 Inez Hajrulla dënohet sërish nga gjykata e Vlorës me 8 muaj burgim për akuzën e “Largimi i të burgosurit nga vendi i qëndrimit”.

Zhdukja e Troqes e dyshimet mbi Inezin

Nisur nga hetimet e filluara për zhdukjen e Elvis Palla (Troqe), janë kryer shumë veprime hetimore për identifikimin e vendndodhjes, lëvizjeve dhe konflikteve të mundshme të të zhdukurit. Në dobi të këtij hetimi është ripyetur Krenar Troqe, babai i (Troqe), i cili në deklarimin e tij veç të tjerave ka shpjeguar se:”…rreth orës 20:30 të datës 17 korrik 2018, pasi ka parë se djali nuk po kthehej dhe është shqetësuar ka shkuar tek “Bar Ini” që ndodhet afër gjykatës, ku ka kërkuar numrin e telefonit të pronarit që e di që e quajnë “Çone”, i cili rezulton të jetë Robert Hajrulla. Kamerierët e kanë marë në telefon “Çone-n”, ku Krenari ka komunikuar me të nëpërmjet telefonit dhe i ka thënë atij, që të fliste me djalin e tij Inin, që ti thoshte ta sillte djalin Elvisin, pasi kishte ditëlindjen e mamasë, atë mbrëmje. “Çon-ja” i ka thënë se ai ishte në Tiranë, pasi ishte i operuar nga tëmthi dhe se djali i tij “Ini” ndodhej në shtëpi dhe shko atje se e gjen në shtëpi. Krenari më pas ka shkuar tëk shtëpia e Çones që ndodhet ngjitur me Gjykatën e Vlorës dhe është ngjitur për te banesa në katin e gjashtë, ku i ka rënë derës disa herë, por nuk i është përgjigjur njeri. Më pas ka ikur ka marë nipin e tij Fatjon Troqe dhe djalin e vogël Erald Troqe dhe ka filluar të kërkoj nëpër Vlorë dhe pasi nuk e ka gjetur Elvisin është paraqitur pranë Komisariatit të Policisë Vlorë, ku ka bërë kallëzim në lidhje me zhdukjen e djalit të tij. Gjithashtu Krenar Troqe, shpjegon se djali i tij Elvisi nuk ka asnjë konflikt, pasi e ka pyetur vazhdimisht dhe i ka thënë që nuk ka konflikte me asnjë person dhe se shtetasin “Ini” e njeh vetëm për fytyrë…”.

Dëshmitari i fundit: Troqe do takonte Inin

Lidhur me këtë hetim të komplikuar është marë në pyetje personi i fundit me të cilin ka konsumuar kafe i zhdukuri. Ky person quhet Emanuel Islamaj dhe ka treguar se rreth orës 18:00, ka dalë nga banesa me automjetin e tij dhe ka telefonuar Elvisin dhe e kanë lënë të takoheshin tek lagja afër shtëpisë së Elvisit, për të pirë kafe dhe pasi janë takuar, janë ulur ne lokal Bar “Havana” duke porositur vetëm Elvisi një kafe dhe një ujë, kurse Emanueli nuk ka marrë gjë. Pas 3-4 minutash Elvisi është çuar nga tavolina dhe i ka thënë Emanuelit që: “Do të takoj 2 minuta një shok”, ku sipas Emanuelit i është dukur sikur ka përmendur emrin “Ini” por për këtë Emanueli nuk është shumë i sigurt. Më pas Elvisi ka dalë tek rruga kryesore dhe Emanueli ka vënë re se Elvisi u takua me një person që nga ku ishte ulur ai, nuk ka fiksuar karakteristika të atij personi.Sipas Emanuelit, Elvisi ka shkuar dhe ka takuar drejtuesin e automjetit të markës “Mercedes Benz” me ngjyrë gri, targat nuk ja ka parë, ku sipas tij Elvisi ishte i njohur me personin, pasi u takuan me njëri-tjetrin dhe nuk e ka parë se nga iku, duke menduar se Elvisi do kthehej shpejt, pasi kishte lënë në tavolinë telefonin e tij dhe paketën me cigare. Pas 5 minutash që ishte larguar Elvisi në lokal ka shkuar babai i Elvisit, shtetasi Krenar Troqe, i cili është ulur me Emanuelin në tavolinë dhe e ka pyetur se ç’u bë Elvisi. Emanueli i ka shpjeguar Krenarit se ai është takuar me një person që sipas Elvisit e quanin “Ini”, por për këtë gjë Emanueli nuk ishte shumë i sigurt. Emanuel Islamaj, është pyetur nëse ka dijeni nëse Elvis Palla Troqe, ka pasur ndonjë mosmarrëveshje, konflikt me ndonjë person dhe se a e njihte shtetasin e quajtur “Ini”, por ai ka shpjeguar se në dijeninë e tij Elvisi nuk ka pasur ndonjë konflikt dhe nuk e njeh shtetasin e quajtur “Ini”.

Inez Hajrulla: Nuk  E njoh Elvis Troqen

Nga ana e policisë në 18 korrik 2018, një ditë pas zhdukjes së Troqes, është shkuar në banesën e shtetasit Inez Hajrulla (Ini), ku ky shtetas është gjetur në banesë me paterica dhe me një këmbë. Ky shtetas është pyetur në lidhje me rrethanat e hetimit, ku ka shpjeguar se më datë 17 korrik 2018, ka qenë në banesën e tij dhe rreth orës 16:30 ka dalë nga banesa ku ka ardhur dhe e ka marë shtetasi Denis Karafili me automjetin “Golf 5” ngjyra e zezë dhe ka shkuar për të bërë fizioterapi, tek një klinik private në vendin e quajtur mbas “Market Conad”. Ka qëndruar në këtë vend deri në orën 18:30, ku më pas shtetasi Denis Karafili e ka marë dhe e ka sjellë përsëri në shtëpi dhe nuk ka dalë më nga banesa. Në lidhje me shtetasin Elvis Palla, ku ju tregua dhe fotografia, Inez Hajrulla, ka shpjeguar se nuk e njeh këtë person.

G.M./r.k./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    23 Dhjetor, 23:33

    Opozita proteston duke paralizuar 3 orë Tiranën, si e vlerësoni?



×

Lajmi i fundit

MPJD i kundërpërgjigjet Beogradit, ia refuzon kërkesën për vizitë një ministri serb

MPJD i kundërpërgjigjet Beogradit, ia refuzon kërkesën për vizitë një ministri serb