Partia opozitare në Maqedoninë e Veriut VMRO-DPMNE, ka paralajmëruar se nuk do ta njohë rezultatin e regjistrimit të popullsisë, i cili do të mbahet në Prill të këtij viti.
"Tri pika, përkatësisht tre kushte, janë të paqarta për ne. Së pari, pse të mos publikohet metodologjia e regjistrimit që supozohej të ishte një pjesë e integruar e Ligjit të regjistrimit, për të parë të gjithë? E dyta, pse LSDM-ja është kundër që regjistrimi apo evidentimi i qytetarëve të bëhen me shenjat e gishtave, ngjashëm sikur që përdoren edhe për dokumentet personale dhe e treta, pse LSDM po përpiqet të bëjë një regjistrim në të cilin njerëzit nuk do të kenë besim, qytetarët nuk do të kenë besim dhe institucionet nuk do të kenë besim. Qeveria e ardhshme e VMRO-DPMNE do të kryejë një regjistrim të besueshëm sipas të gjitha standardeve të Eurostat-it”, tha Stefan Andonovski, deputet i VMRO-DPMNE-së.
Dyshimet e opozitës maqedonase kanë të bëjnë në veçanti me numrin e shqiptarëve në Maqedoninë e Veriut. Ajo ka ngritur dilemën se shqiptarët janë në numër më pak 25.17 për qind nga numri i përgjithshëm i popullsisë 2 milionëshe, bazuar në regjistrimin e zhvilluar në vitin 2002.
Vërejtje lidhur me regjistrimin paraprakisht kanë paraqitur edhe partitë opozitare shqiptare duke kërkuar garanci se ky proces nuk do të keqpërdoret në dëm të interesave të popullit shqiptar në Maqedoninë e Veriut.
Në Kushtetutë, shqiptarët përcaktohen si popull që flet gjuhë të ndryshme nga maqedonishtja dhe që përbën mbi 20 për qind të popullatës dhe mbi bazë të kësaj janë përcaktuar të drejtat e tyre gjuhësore, të simboleve, të punësimit, përfaqësimit, të drejtat kulturore e kështu me radhë.