Vogëlushja që realizonte veshje për
kukullat, sot stiliste e suksesshme 

Vogëlushja që realizonte veshje për<br />kukullat, sot stiliste e suksesshme 
Të gjithë dëshirojmë që të ndihemi të bukur, pasi na jep siguri dhe vetbesim. Për këtë arsye, tregojmë kujdes ndaj pamjes së jashtme, qoftë në make up, qoftë në veshje.

Të gjithë, kryesisht të rinjtë, kanë tendencën që të ndjekin modën, duke blerë veshje të prodhimit më të fundit, e cila për hir të vërtetës shpesh herë ka kosto. Por këtë problem stilistja Jona Çuçi thuajse e ka të zgjidhur. Ajo mund ti stiloj vetë rrobat që ajo dëshiron, për veten dhe për të tjerët. Historia e punës së Jonës do të niste që në vegjëli si një lojë fëmijësh.

Gjyshja e saj ishte rrobaqepëse, dhe kurioziteti e dëshira që kanë fëmijët për të imituar më të mëdhenjtë do ta bëntë Jonën sot një stilistë të suksesshme. Që në moshën 11 vjeçare, Jona filloi të stilonte veshje për kukullat e saj me të cilat lozte. Vogëlushja e nisi si një “lojë kalamajsh”, por sot loja është shndërruar në një hobi si dhe në një biznes fitimprurës të saj. Prej 4 vitesh , Jona Çuçi ka një atelie mode në Tiranë, brenda të cilës prodhohet vetëm art.

Edhe pse e re në moshë, ajo ka një biznes të sajin në treg, “ Kika 2” . Ajo tregon për suplementin ‘Drejt Punës” në gazetën Shqiptarja.com, se nuk e ka patur të lehtë fillimin e biznesit të saj. Stilistja thotë se është përballur me vështirësi, kryesisht me faktin se njerëzit nuk e njihnin atë si stiliste, nuk e njihnin artin që ajo bënte. Por përveç stilimit të veshjeve, Jona ka dhe një tjetër talent, pikturën. Ajo i shkrin të dy talentet në një të vetme, duke nxjerrë rezultate fantastike në krijimin e veshjeve të reja.

Çuçi vizaton aplikacione të ndryshme mbi pëluhër, çfarë i bën veshjet që stilon, unike, ku shumë klientë i personalizojnë nëpërmjet aplikacioneve të veçanta që kërkojnë që vizatohet në veshje.  Dëshirën, talentin e shfaqur që në vegjëli, Jona vendosi që ta përmirësonte atë, duke marrë leksione për profesionalizmin e artit që ajo krijonte.

Por kush do të ishte udhërrëfyesja e Jonës për dizanjimin e veshjeve?... Jona tregon se pasioni dhe leksionet e para të stilimit të veshjeve i ka marrë nga gjyshja e saj, e cila ka qenë rrobaqepëse. Këtë pasion, Jona e kultivoi ndër vite duke e profesionalizuar gjatë studimeve për “Pikturë, tekstile fashion designer” në Akademinë e Arteve të Bukura në Tiranë.

Ajo tregon se cdo gjë ka ndodhur pa planifikime, duke ndjekur spontanitetin, duke ushqyer pasionin e saj. Stilistja shprehet se hapja e Atelisë së Modës, ajo nuk e shikon si një biznes por si shtëpinë  e saj të dytë, shtëpinë e artit. Edhe pse ka pak vite që ka hapur biznesin e saj, 32 vjeçarja shprehet se ka pothuajse një jetë që është marrë me stilimin e veshjeve.

Por çdo artist ka muzën e tij, po ashtu edhe Jona. Për të ideuar skica të reja për veshjet, si dhe aplikacionet që pikturon mbi pëlhurë, Jona inspirohet nga natyra. Ajo tregon se ka një lidhje shumë të ngushtë me natyrën, dhe shpesh herë mbresat që i kanë mbetur nga vendet që ka vizituar në Shqipëri, inspirojnë atë për të krijuar veshje moderne dhe unike.

Do të ishte një palë xhinkse të vjetra që Jona nuk i pëlqente, duke e stiluar atë në një fund xhinks me theka, krijimi i të cilës do çonte Jonën drejt afirmimit të saj si stiliste e vërtetë, larg lojërave me kukulla. Me stilimin e fundit të saj, Jona do të tërhiqte klientelën e saj të parë, të cilat do të ishin disa shoqe si dhe dy mësuese të gjimnazit të saj.

Teksa e tregon eksperiencën e saj të parë si një stiliste e vërtetë, ku shoqet dhe mësueset ja besuan Jones imazhin  e tyre, ajo shprehet se ai moment ishte shumë emocionuese për të.

[gallery]21387[/gallery]

Intervista e plotë: 
 
Jona ju keni një atelie të modës në moshë shumë të re. Më tregoni se si është për ju të keni një biznesin tuaj? Më flisni rreth punës tuaj?
-Të kesh biznesin tënd, në fakt që në ditën që vendosa të hap atelien time, nuk e kam menduar kurrë si një biznes të mirrëfilltë, por si “ shtëpinë timë të dytë”, shtëpinë time të artit. Gjithsesi përpos kësaj, vështirësitë në momentet e para të hapjes ishin disi prezent, sepse duhej kohë që njerëzit, që deri në atë moment nuk të njihnin aspak kush ishe, të të besonin në punën, artin tim. Ndërkohë ishin prezent edhe mikeshat e mia të cilat e dinin shumë mirë se kush isha dhe çmund të bëja për të tjerët. Prania e tyre dhe njerëzve të mi më dhanë besim dita ditës që unë do të arrija të krijoja, stiloja veshje, në atelien time të modës.
 
Më tregoni si është puna e një stiliste?
-Puna e një stilisti, është tepër e bukur por njëkohësisht me shumë përgjegjësi, pse them me shumë përgjegjësi?!... sepse klienti të beson ty, pamjen e tij/ saj të jashtme, dhe ti duhet ta veshësh dhe ti ruash në të njëjtën kohë karakterin dhe natyrën që ajo ka, por duke shtuar ndonjë sugjerim nga ana ime( me lezet) që çdo gjë të shkoj më së miri.
 
Kur e keni hapur atelien tuaj të modës si dhe ku ndodhet?
-Unë tashmë bëj 4 vjet që kam hapur atelien time të modës, ku brenda saj bëj shumë art!...
 
Si e mësuat këtë profesion? 
-Të them të drejtën çdo gjë më ka ardhur thjesht natyrshëm. Në moshë të vogël më shumë në një formë loje se çdo gjë tjetër,  luaja me kukullat dhe krijoja veshje dhe aksesorë për to. Një shtysë shumë e mirë ishte gjyshja ime, e cila ishte rrobaqepëse, dhe për këtë mundësia të gjeja copa dhe ti krijoja ato ishte edhe më e thjeshtë.
 
Puna me modën ka qenë ëndërra juaj apo erdhi thjesht spontanisht?

-Siç e thashë edhe pak më lart çdo hap drejt ëndërrës për tu marrë me modën ishte krejtësisht e natyrshme, pra nisi si një lojë në vegjëli dhe kur vitet kalonin ajo shfaqej edhe më shumë duke filluar të skicoja modele, në ato moshë unë isha 10-11 vjeçe, e më pas me përforcimin e pikturës etj.
 
Cilat janë punimet tuaja të para ?
-Punimet e mia të para… kam qenë në vit të dytë të shkollës së mesme, një ditë të bukur më shkon në mendje të merrja një palë xhinkse të cilat nuk më pëlqenin më, dhe vendosa ti ndryshoja, pra të bëja një riciklim më to, dhe madje nga pantallona, i ktheva në fund me thekë. Që në momentin që ma shohin në shkollë të veshur, disa shoqe madje dhe dy mësuese më kërkuan qe të bëja të njëjtën gjë me xhinset e tyre. Kënaqësia ishte e jashtëzakonshme për mua në atë moment.
 
A e patët të vështirë të krijonit një atelie mode në Tiranë, si dhe të futeshit në treg me markën tuaj?
-Vështirësia do të qëndronte kudo ku unë do të hapja diçka 100 përqind timen. Pasi nuk është e thjesht të futesh në treg, vetëm me ëndërrën tënde mbi supe. Duhet punë…
 
Më prezantoni veten tuaj, sa vjeç jeni, nga jeni si dhe studimet që keni ndjekur?
-Unë jam 32 vjeç. Jam lindur në Tiranë, kam mbaruar shkollën e mesme “ Petro Nini Luarasi” dhe jam diplomuar për pikturë, tekstile  fashion designer në akademinë e Arteve të Bukura, Tiranë.
 
Ju pikturoni mbi pëlhura, e më pas i bëni  veshje, duke personalizuar më shumë një veshje. Sa të pëlqyeshme janë nga klientët?
-Aplikacionet mbi copë, janë një tjetër cilësi e imja. Shumë klientë e duan këtë mënyrë pasi veshja e tyre bëhet edhe unike. Me pak fjalë pëlqehet shumë, sa vjen edhe më shumë, rritet dita ditës dëshira e klientit për të bërë një kapriço të tillë.
 
Prej sa kohësh merresh me stilim? Cilat janë objektivat e tua për të ardhmen në lidhje me biznesin tuaj?
-Mund të thoja një jetë të tërë, nuk e mbaj mend saktë se sa kohë është bërë , kam punuar, dizenjuar në çdo kohë. Objektivat e mia janë të arrij në maksimum profesionalizmin tim në punë që bëj, pasi është një profesion i cili nuk ka asnjëherë fund, gjithë kohës mëson.
 
Çfarë të inspiron ty që të krijosh veshje?
-Të them të drejtën, kam lidhje shumë të ngushtë me natyrën, dhe më inspirojnë shumë vendet ku vizitoj por dhe kulturat e vendit tim, Shqipërisë. Gjithë atë ngacmim e interpretoj në veshjet e mia, dhe aplikacionet që i vendos sipër.
 
Sa vetë punojnë në atelin tuaj?
-Momentalisht kam dy rrobaqepëse shumë të mira, ku e përcjellin po me aq dashuri sa unë punën që bëjnë.
 
Sa fitmiprurës është ky biznes? A je e kënaqur me fitimet?
E bukura kushton, dhe normalisht prej sa dalin fitime të kënaqshme.
 
Cilat janë hapat që ndiqen për realizim e një veshje?
-Sigurisht, një rregull patjetër që duhet të jetë për të ndjekur siç duhet ciklin e krijimit të një veshje. Primare për mua është biseda me klientin, duhet të flas pak gjatë me të, që të mund ti njoh deri diku karakterin që ka dhe stilin që përdor momentalisht. Për ti nisur një veshje siç duhet. Hapi i dytë është zgjedhja e tesutit ( copës), stilimi i veshjes dhe zhvillimi i saj, prerja dhe më pas qepja. Në fund të saj në bashkëpunim me klientin shohim mos i shtojmë një detaj të fundit, gjithmonë siç duhet.

Ku ndodhet atlelia juaj e modës?
-Atelie-ja ime ndodhet tek  “ Komuna e Parisit” Kompleksi Kika 2.
 
Si është dita jote Jona, dita e një stiliste. Sa kohë të merr stilimi gjatë ditës?
Dita ime… është tepër aktive, dhe falenderoj zotin për këtë… duhet të bëj shumë gjëra në të njëjtën kohë por duke i respektuar nga njëra- tjetra. Stilimi do pak kohë më shumë, gati sa biseda që duhet të konsumoj me klientin, sepse pesha që ajo mbart është e njëjtë.
 
Ju thatë që keni një jetë që stiloni, por në fakt keni vetëm 4 vite që keni hapur atelien tuaj të modës. Ku stilonit më parë?
Gjatë periudhes së Akademisë kam nisur një cikël të mirëfilltë të të stiluari dhe vënien në zbatim të saj. Gjatë gjithë atyre 4 viteve akademike nuk kam rreshtur duke stiluar për projektet e saj e më pas, jashtë saj dhe deri tani që vazhdoj pa pushim me po atë pasion dhe dëshirë.
 
Cili është mesazhi i juaj për të rinjtë që duan të hapin një biznes? Çfarë i këshillon atyre?

Mesazhi im për këta të rinj është, të kenë gjithmonë besim në vetvete, dhe mos të dorëzohen kollaj, kur gjërat nisin me dëshirë e pasion, çdo pengesë tjetër që mund të vij, do të kalohet kollaj.

Redaksia Online
XH.K/Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:

    A po jep rezultate lufta e SPAK ndaj grupeve kriminale?



×

Lajmi i fundit

Sekretari i Jashtëm britanik, Cameron javën e ardhshme në Tiranë, në fokus emigracioni i paligjshëm! Takim me Ramën e Begaj

Sekretari i Jashtëm britanik, Cameron javën e ardhshme në Tiranë, në fokus emigracioni i paligjshëm! Takim me Ramën e Begaj