Deputetja e Rithemelimit, Albana Vokshi deklaroi sot se raporti i KLSH-së, tregon që shëndeti i shqiptarëve është në rrezik. Njëjtë si Berisha, Vokshi thotë se Rama dhe Manastriliu u shfaqën dje në spitalin ‘Shefqet Ndroqi’ për t’i dhënë mesazh SPAK-ut që të mos merren me koncensionin e sterilizimit.
“Edi Rama dhe Ogerta Manastirlliu u shfaqën dje në Spitalin ‘Shefqet Ndroqi’ për të mbrojtur inceneratorin e shëndetësisë-Koncesionin e Sterilizimit, duke i çuar në të njëjtën kohë, mesazh SPAK-ut që të mos e preknin këtë koncesion. E ndërkohë që Rama jepte shfaqjen e propagandës mbushur me mashtrime në lidhje me uljen e infeksionit, apo uljen e ditë-qëndrimeve në spitale prej zbatimit të koncesionit, dhjetëra të sëmurë me tumor përsëri nuk e morën dot shërbimin mjekësor (një e drejtë e tyre kushtetuese) nuk siguruan dot ilaçin, kurën e tyre dhe nuk kryen dot seancën e kimioterapisë”, tha Vokshi.
“Dje, në të njëjtën kohë me shfaqjen e shëmtuar të Edi Ramës dhe Ogerta Manastirliut, Kontrolli i Lartë i Shtetit publikoi një raport rrëqethës të Auditimit të performancës «për trajtimin e sëmundjeve tumorale», nëse politikat qeveritare shëndetësore, sistemet e kujdesit të shëndetit publik janë të mjaftueshme, nëse shërbimet dhe trajtimi janë profesionale, nëse institucionet kanë marrë masat e nevojshme dhe kanë përdorur me efikasitet buxhetin e shtetit për të siguruar shërbimet e nevojshme për të sëmurët me tumor”, tha ajo. Gjetjet e raportit të KLSH janë tronditëse. Raporti hedh dritë në atë çka opozita, shoqatat e shëndetësisë, pacientë e familjarë kanë denoncuar prej vitesh tashme në mënyrë të vazhdueshme. Raporti vërteton edhe një herë faktin që pacienti nuk ka qenë në asnjë rast në qendër të vëmendjes apo prioritet i kësaj qeverie. Prioriteti i vetëm i së cilës ka qenë fitimi, përfitimi nëpërmjet koncesioneve që monopolizuan pothuajse të gjitha shërbimet në shëndetësi. Mangësitë janë që nga ato strategjike, financiare, operacionale, rregullatore. Të gjitha me nivel shumë ta lartë të riskut. Kryesisht ardhur pjesa më e madhe prej mungesës së kontrollit të duhur menaxherial nga ana e Ministrisë së Shëndetësisë, pra përgjegjësi direkte e Ministres Ogerta Manastirliu”, theksoi Vokshi.
“Në raportin e KLSH-së evidentohet fakti që stafi mjekësor i Onkologjikut ka pasur angazhim maksimal, si për trajtimin e pacientëve, ashtu edhe për kërkesa të vazhdueshme për drejtorinë e QSUT-së dhe Ministrinë e Shëndetësisë për të siguruar pajisjet e nevojshme që u duhen për t’u ardhur në ndihmë pacientëve
Ajo nënvizoi se, është pikërisht orientimi i fondeve drejt koncesioneve korruptive në shëndetësi-inceneratorëve të shëndetësisë që kanë privuar qindra pacientë nga shërbimi shëndetësor në onkologji (një e drejtë kushtetuese).
“SPAK duhet të dëgjojë denoncimet e pacientëve dhe familjarëve të tyre. Drejtësia duhet të veprojë menjëherë ndaj përgjegjësve të këtij krimi me kosto, jo vetëm financiare, por edhe humane siç është shëndeti dhe jeta e qytetarëve”, përfundoi Vokshi.
Lajmi kryesor: