TIRANË- Ka përfunduar numërimi i votave të diasporës nga të gjitha shtetet, ndërkohë që pritet rezultati për 53 mijë votat e emigrantëve në Greqi, pas vendimit të sotëm të KQZ-së që të numërohen të gjitha, pasi kishin mbetur peng deri më sot për shkak të kontestimeve të PD.
Në orën 15:00, kryekomisioneri Ilirjan Celibashi shpalli vendimin për këtë çështje, duke u shprehur se nuk ishin gjetur parregullsi dhe duheshin numëruar të gjitha.
Me 12 qarqet që u numëruan nga diaspora nuk kemi ndryshim mandatesh, ndërkohë që numërimi i votave të Greqisë pritet të nisë nesër në mëngjes në orën 08:00. PS mbetet me 83 mandate në rang vendi, PD me aleatët me rënie drastike me 50 mandate nga 63 që kishte në vitin 2021, PSD merr 3 mandate, 2 Partia Mundësia e Agron Shehajt, dhe nga 1 mandat Lëvizja Bashkë e Arlind Qorit dhe Nisma Shqipëria Bëhet e Adriatik Lapajt. Pritet të shihet se çfarë vendimi do të marrë Celibashi mbi fatin e votës së Greqisë.
Deri tani janë numëruar 75% e zarfave, ose 147 024 vota. Jo vetëm brenda vendit, por edhe në diasporë, Partia Socialiste ka marrë mbështetjen më të madhe nga diaspora me 78 729, ose 54.18% të totalit të votave të numëruara. Koalicioni Partia Demokratike – Aleanca për Shqipërinë Madhështore (PD-ASHM) renditet e dyta me 40 863 vota ose 28.12%. Në vend të tretë është Koalicioni Nisma Shqipëria Bëhet (NISMA-SHB) me 11 834 vota (8.14%).
Partia Mundësia ka marrë 5 420 vota (3.73%), ndërsa Lëvizja Bashkë ka siguruar 3 891 vota (2.68%). Partia Socialdemokrate (PSD) ka marrë 1,980 vota (1.36%), ndërsa Partia Koalicioni Euroatlantik (KEA) ka grumbulluar 1 066 vota (0.78%). Ndër partitë më të vogla, Partia Aleanca Kombëtare Shqiptare (AKSH) ka marrë 779 vota (0.54%), Koalicioni Djathtas për Zhvillim (DZH) ka marrë 432 vota (0.30 %), Lëvizja Atdheu (LA) ka fituar 223 vota (0.16%), dhe Partia Aleanca Demokracia e Re (ADR) ka marrë 81 vota, që përfaqësojnë 0.06% të votave të numëruara.
Votat preferenciale për kandidatët nga diaspora ende nuk kanë nisur të numërohen, por panorama është thuajse e qartë se cilët do të jenë kandidatët e listës së hapur që futen në Kuvend, pasi nuk pritet të ketë ndryshim të madh në votat për preferenciale.
Nga vota e diasporës, Partia Socialiste ishte e vetmja që arriti të marrë një mandat. Bëhet fjalë për mandatin në qarkun e Vlorës, që e rriti PS nga 8 mandate që kishte fituar me votën brenda vendit, në 9 mandate dhe PD-ASHM zbriti nga 4 mandate që kishte në vetëm 3. Në Tiranë, Partia Mundësia e Agron Shehajt mbrojti mandatin e dytë me disa dhjetëra vota, dhe nuk u rrëzua as nga diaspora duke e lënë PD-në këtë qark, me 13 mandate.
Partia Socialiste ka fituar bindshëm edhe me votën e diasporës, ku kryeson në 10 qarqet e vendit dhe me fitore të thellë. PD ka marrë fitore vetëm në dy qarqe, Shkodër dhe Kukës. Procesi u fut në krizë për shkak të vendimmarrjes së kreut të KQZ-së Celibashi, për të veçuar zarfet e ardhura nga Greqia.
Aktualisht të gjitha votat nga vendi fqinj janë të ndara veçmas, në kuti të ndryshme për të 12 qarqet. Shkak për këtë ndarje u bë një kërkesë e Partisë Demokratike që kur kutia e parë u hap, me pretendimin e manipulimeve, kërkesë që u pranua nga Kryekomisioneri Celibashi. Çdo zarf i Greqisë u kontestua dhe u veçua. Vendimi i Celibashit u rrëzua nga Komisioni i Ankimeve dhe Sanksioneve, vendimmarrja e të cilit u dërgua në Kolegjin Zgjedhor nga Partia Demokratike.
Komente

