Pas votës kundër në parim për Buxhetin e 2027, Sali Berisha e dha edhe njëherë nga selia blu, argumentin kryesor përse  PD e  kundërshtoi.  Ai renditi tri kritika për buxhetin prej 10 miliardë eurosh. Fondet që, sipas tij janë të pamjaftueshme për pensionistët, shpenzimet operative të administratës dhe rritjen e parashikuar të pagave.

Sipas tij, për 760 mijë pensionistë janë parashikuar 300 deri në 350 milionë euro, ndërsa fondi duhet të rritet në 700 milionë euro.

“Në rast se merrni shpërndarjen e tij, është vjedhje, vjedhje dhe vetëm vjedhje. Në një buxhet prej 10 miliardë euro, pensionistëve u është lënë vetëm 1 për qind e GDP-së. Iu janë lënë gjithsej 300–350 milionë euro. Nuk ka përqeshje më të madhe për ta.

Janë 760 mijë qytetarë. Kjo kërkon minimumi dyfishimin e kësaj shifre nga 300–350 që varion, duhet të shkojë në 700 milionë. Dhe kjo vetëm si hapi i parë. Ku do gjenden? Tek hajdutët. Janë lënë 930 milionë euro para xhepi, udhëtimesh, shpenzimesh të administratës. Shpenzime operative. Udhëtime dhe fjetje në hotel me 5 yje. Krim, krim i shëmtuar. Këtu janë futur edhe paratë e check-up-it, koncesioneve të cilat shkojnë, siç dihet, pasivisht në kontot bankare të Edi Ramës dhe hajdutëve të tij”, tha Berisha.

Berisha kritikoi edhe dyfishimin e bonusit për pensionistët, duke e cilësuar të pamjaftueshme.

“Ka tallje me pensionistët. T’ua dyfishojmë këtë që u dhamë vitin e kaluar. Po çfarë u dhatë vitin e kaluar? Njerëz të pashpirt. U dhatë thërrime dhe grimca qesharake. Dhe tani bërtasin dhe po i lumturojnë se po u dyfishojnë atë që dhanë vitin e kaluar. Paratë janë që të gjitha. Absolutisht pa asnjë lloj pasoje negative, përveçse shumë pozitive sepse i nxjerr nga dhimbja. Pra, dyfishim i menjëhershëm”, vijoi ai.

Për pagat, kreu i PD-së propozoi rritje me 50 për qind për pagat e ulëta dhe me 30 për qind për pagat e mesme, duke kërkuar që pagat e larta të mbeten në nivelin aktual.

“Ka rritur vetëm rrogat e narkobanditëve. 2500 euro për të rrahur, për të torturuar, për të masakruar të rinjtë në protestë. Rritje me 50 për qind të rrogave të ulëta. Me 30 për qind të rrogave të mesme. Asnjë qindarkë rrogat e larta. Asnjë qindarkë! Po, rrogat e ulëta do rriten.

“Rritja e parashikuar e rrogave është qesharake. Pra, rrogat e ulëta duhet të rriten me 50 për qind. Rrogat e mesme me 30 për qind. Asnjë qindarkë rrogat e larta. Pse? Se janë më të lartat në rajon në paturpësinë më të madhe. Në qoftë se një rrogë mesatare, krahasuar me mesataren e BE-së, është 15–20 për qind e saj, rroga e lartë shkon ndonjëherë edhe më e lartë se rrogat e BE-së, ndonjëherë shkon tek 70 për qind e tyre. Ato nuk duhet të preken. Ato të mbahen aty ku janë”, vijoi Berisha.

Sali Berisha i qëndron propozimit të demokratëve për vendosjen e një minimumi jetik prej 200 eurosh, kërkesë e hershme e opozitës. 

“Minimumi jetik është plotësisht i mundshëm. Ndaj dhe ne deklarojmë se vendosja e minimumit jetik në mënyrë që të mos ketë pension nën 200 euro, asnjë. Dhe kur them pension, them pension të pjesshëm, jo të plotin. Të mos ketë shqiptar që firmos nën 200 euro. As rrogë papunësie, as ndihmë ekonomike. Pra, në rast se ky buxhet do të trajtonte realitetin, do u jepte përgjigje problemeve të mëdha të realitetit shqiptar, kurrë nuk do mund të ishte paraqitur siç u paraqit”, u shpreh kreu i PD.

Kjo kërkesë është tërësisht e realizueshme thotë Berisha nëse shkurtohen shpenzimet e administratës.

"Përgjysmim i menjëhershëm i të gjitha shpenzimeve operative është absolutisht pa asnjë pasojë në funksionimin e administratës, përkundrazi krijimin e një mjedisi më transparent dhe më pak korruptiv", u shpreh kreu i PD. 

I pyetur nga gazetarët, edhe mbi bashkëpunimin opozitar në zgjedhjet vendore të 9 majit 2027, Berisha tha se ftesa e PD për krijimin e një koalicioni të gjerë me të gjitha forcat politike, grupet e interesit dhe faktorët opozitarë është e sinqertë.

"Ne po punojmë. Vetëm se ky koalicion është i ndryshëm nga çdo koalicion që është bërë nga viti ‘91 gjer sot.  Çfarë do të thotë kjo? Kjo do të thotë përpjekje e ndershme për të bashkëpunuar me çdo forcë politike, çdo grup interesi dhe të gjithë ata që konsiderojnë të keqen më të madhe Edi Ramën dhe narkoshtetin e tij. Ky është një spektër i gjerë në konceptin tonë ku ne nuk përjashtojmë nga ky bashkërendim dhe bashkëpunim asnjë faktor që beson se Edi Rama është e keqja më e madhe e vendit", theksoi Berisha. 

 

Sa e vlerësoni këtë artikull?
★ ★ ★ ★ ★

Komente

Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës: 18 Nëntor, 11:04

    A i reflekton shqetësimet e qytetarëve pr.buxheti 2027?