RIMINI - Pasi është qëlluar shtatë herë në sy të gruas dhe dy fëmijëve të tij, 26 vjeçari shqiptar, Nimet Zyberi, ka gjetur vdekjen paraditen e 17 marsit, në parkimin e një supermarketi në Rimini të Italisë. Pas krimit, vrasësi është larguar menjëherë nga vendngjarja, ndërsa policia ka intensifikuar masat për kapjen e tij.
 
Megjithatë, siç njofton ANSA, vrasësi dyshohet se është një tjetër shqiptar, i cili është identifikuar nga policia, ndërsa identiteti i tij nuk bëhet i ditur. Shkaqet që çuan në këtë krim dyshohet të jenë për larje hesapesh, si pasojë e një zënke mes vrasësit dhe viktimës në një bar një muaj më parë.
 
Nga rindërtimi i skenës së krimit, Nimet Zyberi, kishte qenë duke bërë pazar së bashku me familjen, ndërkohë pasi ishte kthyer të dorëzonte karrocën, ishte drejtuar për nga makina e tij tip ‘Mercedes-Benz’ ku po e priste gruaja dhe fëmijët. Në këtë moment vrasësi i është afruar duke e qëlluar shtatë herë në gjoks dhe pjesën e sipërme të trupit.
 
Pranë trupit të viktimës, policia gjeti edhe një llak të cilin mendohet se Zyberi e kishte blerë në supermarket. Nga dëshmitë e mbledhura nga policia, vrasësi iu afrua në këmbë, ndërsa një bashkëpunëtor, dyshohet femër, qëndronte aty pranë në timonin e automjetit me të cilin u arratisën. Ndërkohë disa dëshmi të tjera thonë se vrasësi mbante një kapuç në kokë dhe se ishte i vetëm në momentin e krimit.
 
Ndërkaq gruaja e viktimës, në dëshminë e saj, është shprehur se nuk e njihte vrasësin e burrit të saj. Policia ka sekuestruar edhe kamerat e sigurisë, ku shihet se Nimet Zyberi ka pasur një debat me një person tjetër në supermarket, çka kishte ngjallur tension tek familja e viktimës.
 
Hetimet e policisë në të kaluarën e viktimës, e tregojnë atë si një person pa precedentë penal, veç disa raportime për posedim të drogërave të lehta apo shkelje të kodit rrugor. Nimet Zyberi dhe e shoqja italiane Xhesika, ishin martuar prej pak kohësh, ndërsa kishin dy fëmijë dhe ishin në pritje të fëmijës së tretë. Familja mësohet të ketë ndryshuar shpesh banim, për shkak të vështirësive ekonomike. 

 
Redaksia Online
(e.c/shqiptarja.com)