Italiani i dënuar me 24 vite burg për vrasjen e Paulës, ish-së dashurës së tij dhe nënës së fëmijës së tyre në Torremolinos (Málaga) në vitin 2023, ka pranuar për herë të parë që nga arrestimi i tij po atë vit se më parë, në vitin 2014, vrau dhe murosi partneren e tij të mëparshme, 22-vjeçaren Sibora Gagani.

48-vjeçari Marco Romeo, e kishte pranuar se kishte vrarë 28-vjeçaren Paula, ndërsa për krimin ndaj të resë italiano-shqiptare Sibora Gagani pranonte vetëm se e kishte murosur. Ai mohonte vdekjen e saj dhe pohonte se “ishte një çështje shumë më komplekse”.

Gjatë gjithë hetimeve të çështjes ai jo vetëm që mohoi të ishte autori i krimit, por madje deklaroi se Policia gënjente dhe e kishte “shitur”, version të cilin as hetuesit dhe as Prokuroria nuk e besuan kurrë. Prokuroria kërkon që ai të dënohet me 22 vite burg për veprën penale të vrasjes me paramendim në kuadër të dhunës gjinore, me rrethanë rënduese lidhjen familjare, si dhe për një tjetër vepër kundër integritetit moral.

Romeo do të gjykohet për vrasjen e Sibora Gaganit në një çështje të ndarë nga ajo që u zhvillua për vdekjen e ish-partneres së tij Paula.

Në deklaratën e mbrojtjes së tij, i pandehuri pranon për herë të parë se e vrau brenda banesës ku jetonin dhe pranon fshehjen e trupit në një mur të dyfishtë në shtëpi. Trupi i Siborës u zbulua nga Policia Kombëtare pas një hetimi paralel, pas arrestimit të tij për krimin ndaj Paulës. Trupi ishte fshehur në murin e dyfishtë që Romeo kishte ndërtuar në një cep të një dhome ku ai nuk jetonte më, dhe ndodhej në një kuti druri, i mbuluar me gëlqere, pranë një thike me gjak dhe një buqete me lule.

I pandehuri e njohu Sibora Gaganin në vitin 2009, kur ajo ishte 18 vjeçe, në qytetin italian Nettuno ku të dy jetonin, sipas prokurorisë.

Në vitin 2010 ata u transferuan në Spanjë, konkretisht në Torremolinos, si çift, dhe për shkak se ajo nuk kishte dokumentacion të rregullt, mbërriti me një identitet të rremë, emër që e përdorte zakonisht dhe me të cilin njihej në atë komunë.

I akuzuari dhe viktima jetuan në vende të ndryshme në Torremolinos dhe madje Sibora mori me qira një apartament në vitin 2013, vit në të cilin marrëdhënia u ndërpre përkohësisht në fund të atij viti, megjithëse në momentin kur ndodhi krimi, në vitin 2014 ata jetonin sërish bashkë, gjithmonë sipas versionit të prokurorit.

Në një ditë dhe orë të pacaktuar, por gjithsesi gjatë javës nga 7 deri më 14 korrik 2014, Romeo sulmoi Siborën me një armë të ftohtë dhe, pasi e goditi me thikë të paktën katër herë, i shkaktoi vdekjen.

Ai mohon se ka ekzekutimi ka qenë i befasishëm dhe i planifikuar, megjithëse akuza këmbëngul se ai e vrau dhe veproi njësoj si me Paulën, “në mënyrë të ftohtë dhe me justifikimin se gjithçka ndodhi si pasojë e një debati”./Heraldo