SHKODËR- 2 vrasjet e ndodhura së fundmi në Shkodër, ajo e 19-vjeçarit Erjon Xhenje në 18 shtator dhe i Ismet Çekorjes në 2 shtator duket se kanë një lidhje me njëra tjetrën. Kjo sepse nga grupi hetimor është konfirmuar se i riu, Xhenje është ekzekutuar nga djali i Ismetit, Bajram Çekorja. Ky i fundit ndonëse është në kërkim për përfshirje në një tjetër atentat, nuk është penguar që të marrë hakun për vrasjen e babait shumë pranë derës së shtëpisë.

Motivi? Dyshohet se Bajram Çekorja, 24-vjeç vrau të riun Erjon Xhenje, pasi ky i fundit i nxori ka qenë informatori për autorët se Ismeti doli nga banesa. Ky informacion nuk është konfirmuar zyrtarisht, po ajo që mund të thuhet është se kjo është një nga pistat kryesore që ka në tryezë grupi hetimor.

Nga veprimet e kryera, grupi hetimor ka arritur që të sigurojë provat që vërtetojnë se pas ekzekutimit të 19-vjeçarit qëndron Bajram Çekorja, përfshirë këtu edhe kamerat e sigurisë në zonë. Gjatë kontrollit të territorit nga Policia, në rrugën “Saçej”, në lagjen “Guerile”, është gjetur një motomjet i djegur plotësisht, si dhe 1 armë zjarri pistoletë, që dyshohet se janë përdorur në këtë ngjarje. 

Ndaj 24-vjeçarit rëndojnë 2 akuza, ajo për "Vrasje me paramendim” e kryer në bashkëpunim dhe "Mbajtje pa leje e armëve dhe e municionit”. Kujtojmë që 2 ditë më parë në Policinë e Shkodrës ka qenë vetë Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Muhamet Rrumbullaku i cili ka kërkuar angazhimin e të gjithë strukturave të Policisë për zbardhjen dhe arrestimin e autorëve të kësaj ngjarje kriminale që tronditi opinionin publik.

Si ndodhi vrasja e Erjon Xhenjes? 
Erjon Xhenje, vetëm 19-vjeçar u ekzekutua mbrëmjen e së dielës, në lagjen “Kiras”. Ora shënonte 20:10 kur i riu u qëllua me armë zjarri teksa ishte duke pirë kafe në një lokal në zonën e njohur si ‘Rruga e Gjerë’. Autorët që po lëviznin me motoçikletë qëlluan me breshëri plumbash duke e lënë të vdekur në vend. Rreth 500 metra larg vendit të ngjarjes, në lagjen 'Guerile' është gjetur duke u djegur motoçikleta së bashku pistoletën e përdorur nga autorët. 

Si ndodhi vrasja e Bajram Çekorjes?
Më 2 shtator, u ekzekutua 57-vjeçari Ismet Çekorja, babai i Bajram Çekores, ky i fundit në kërkim për atentatin ndaj Alban Bruçit. 5 ditë para vrasjes, Ismet Cekorja dha një intervistë për mediat, ku mohoi faktin se djali i tij është i përfshirë në ngjarjen për të cilën akuzohet.

6 vrasje të bujshme tronditën Shkodrën në 9 muaj! Asnjë autor në pranga
Në 9 muajt e parë të 2022-shit në Shkodër janë ekzekutuar 6 persona. Të gjitha vrasje të pazbardhura nga Policia e Shkodrës, ndaj dhe saga e hakmarrjeve vazhdon...

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 20:49
U ekzekutua në 18 shtator në Shkodër/ Nëna e 19-vjeçarit kërkon mbrojtje nga shteti: Fatkeqësia e vetme e djalit tim ishte se kushërinjtë i ka me precedentë penal

 

Nëna e të riut, Erjon Xhenje, i cili u ekzekutua mbrëmjen e 18 shtatorit ka kërkuar mbrojtje nga shteti pasi thotë se familja e saj është e pambrojtur. Ajo shprehet se djali i saj, vetëm 19-vjeç, ishte “i kulluar”, por gabimi i tij i vetëm ishte fakti që kishte kushërinj me precedent penal. Në një reagim, pak minuta pasi u zbulua që autori i vrasjes së djalit të saj ishte Bajram Çekorja, e ëma thotë se drejtësia duhet të vihet në vend.

 “Jam Elvira Xhenje, nëna e të ndjerit Erjon Xhenje, të riut që u vra në Shkodër me datë 18 ,09,2022.Vrasja e djalit tonë ka qenë një tronditje e madhe për familjen tone, por jo vetëm. Dhimbjen për djalin tim e kam parë në sytë e gjithë prindërve që në sytë e mi kanë parë veten e tyre, sesi një fëmije të pafajshëm i merret jeta me pa të drejtë. Dhimbjen  për Erjonin e kam parë në sytë e të rinjve që e kuptojnë sesa e pasigurtë dhe e pa vlerë është jeta në Shqipëri. Fatkeqësia e djalit tim ishte se kushërinjtë e tij janë me precedentë penale. Ky fakt i dha të drejtën dorës kriminale që t’ia marrë pa mëshirë jetën djalit tim. Ky fakt i dha të drejtë portaleve që ta godasin për herë të dytë Erjonin duke cënu dinjitetin e tij me informacione të pavërteta dhe duke trazuar shpirtrat e familjareve sërish. Erjon Xhenje ka qenë student i degës fizioterapi. Ka qene një i ri me angazhime në jetën personale dhe shoqërore. Erjoni është  eduku me vlera dhe i ka manifestuar në familje dhe në  rrethin e tij të pastër shoqëror. Kërkoj nga shteti drejtësi për djalin tim. Kërkoj gjithashtu që familja ime të merret në mbrojtje pasi ndihemi të pambrojtur. Erjoni ka qene një djalë besimtar. Jam e sigurte që ai është lule në xhenet. Allahu e pastë në mbrojtje pasi në këtë jetë ka padrejtësi”, thuhet në reagimin e saj.

Erjon Xhenje, është kushëri me Sehar Xhenjën, një person me precedentë kriminal në Shkodër.  Ky i fundit është në kërkim për tentativë vrasjeje pasi qëlloi me armë drejt automjetit me të cilin po lëvizte Taulant Pepaj në shkurt të vitit 2021. Për këtë ngjarje janë shpallur në kërkim edhe Eljon (Esmeraldo) Hato, 31 vjeç dhe dhe Shkelzen Xhenja, 29-vjeç. Nuk dihet nëse ekzekutimi i tij ka lidhje pikërisht me Sehar Xhenjën, teksa po hetohet edhe pista se Bajram Çekorja e vrau 19-vjeçarin se kishte informuar autorët për lëvizjet e babait të tij, Ismetin, i cili u vra shumë pranë shtëpisë në 2 shtator.