Vrasja e Alfons Ndocit në burgun grek, kontrolle në qelinë ku mbahej Laert Haxhiu

Vrasja e Alfons Ndocit në burgun grek, kontrolle në qelinë ku mbahej Laert Haxhiu

Gardianët grekë të Koridhalos kanë mësyrë mesditën e sotme në dy qeli ku janë mbajtur të burgosur shqiptarë.

Kontrolle janë ushtruar tek qelia 32 e Etem Hoxhës dhe qelia 30 ku është mbajtur Laert Haxhiu para se të ekstradohej në Shqipëri.

Burime bëjnë me dije se kontrollet po kryhen lidhur me hetimet për vrasjen e të burgosurit 35-vjeçar shqiptar Alfons Ndoci dhe plagosjen e 46-vjeçarit kosovar Altin Vokrri në 26 Qershor. Vrasjen e mori përsipër Xhuliano Halili, një shqiptar i dënuar me burgim të përjetshëm për dy vrasje, ndërsa pamjet e siguruara nga mediat greke treguan se në përplasje kishin marrë pjesë disa të burgosur mes tyre edhe Etem Hoxha.

Edhe pse vrasja u konsiderua fillimisht se ndodhi për shkak të një konflikti lidhur me futjen ose jo në qeli të të dënuarve pas protestës së tyre lidhur me kondicionimin e qelive, ngjarja duket se ka edhe prapaskena të tjera.

Konkretisht mendohet se gardianët mund të kenë krijuar kushtet për vrasjen e Alfons Ndocit. Përvec kësaj, ka dyshime se vrasja mund të jetë e paguar nga “mafia e Mykonos”. Konkretisht në 2 korrik në Athinë u ekzekutua topografi grek Panagiotis Stathis, 54-vjec. Stathi ishte sulmuar tre herë më parë në Mykonos dhe Athinë. Dy nga këto sulme mendohet se i ka kryer Alfons Ndoci, i paguar nga persona të fuqishëm me interesa ndërtimi në ishullin grek. Dyshimet janë se për të krijuar kushte për vrasjen e Stathit, fillimisht është urdhëruar vrasja e Alfons Ndocit, me qëllim që ai mos të fliste për urdhëruesit e mundshëm të vrasjes së topografit.

Lidhjet e Ndocit me “mafien e Mykonos”

Alfons Ndoci dyshohet se ka operuar në Mykonos nën urdhrat e biznesmenit shqiptar Tonin Preka 42 vjec. Mes urdhrave që ka marrë nga Preka, dyshohet se ka qenë edhe rrahja e një biznesmeni, i cili aktualisht dyshohet si urdhërues i vrasjes së topografit. Megjithëse punoi për Prekën, Ndoci u nda prej tij për mosmarrëveshje ekonomike. Në nëntor 2022, Ndoci u kthye në Mykonos dhe rrahu e grabiti Tonin Prekën. Bashkë më shqiptarin Gerald Jaho, 25 vjec, ata i morën Prekës 40 mijë euro. Në janar 2023, teksa ndodhej në një qendër tregëtare në Athinë, Preka ka pikasur dy shqiptarët dhe ka njoftuar policinë se dy personat që e kishin grabitur ndodheshin pikërisht aty. Policia arriti t’i kapë ata pas një ndjekje me makina që shkaktoi edhe përplasje me mjete të parkuara. Policia u gjeti dy shqiptarëve 2 pistoleta “Berreta” dhe “Sig Sauer”, 1 krehër pa fishekë, 17 fishekë, 1 pako marijuanë, 16.207 euro dhe kartmonedha të shteteve të ndryshme. Gjatë verifikimit, rezultoi se Ndoci kërkohej për “grabitje në bashkëpunim” dhe kishte dy dënime me 3 vjet burg për “armëmbajtje nga një i burgosur” dhe “vjedhje”, ndërsa Jaho kërkohej për “grabitje në bashkëpunim”.

Ndoci ishte arratisur nga burgu me atë që mori përsipër vrasjen e tij

Alfons Ndoci rezulton se në vitin 2014, gjatë një grabitje në Elefsina, vrau pronarin e dyqanit për shkak se ai rezistoi. Gjatë kohës që ishte në burg, në vitin 2018 ai u arratis nga mjeti i transportit të burgut në Portin e Patras bashkë me tre të burgosur të tjerë, përfshirë Xhuliano Halilin. Madje me këtë të fundit u kap disa ditë më pas nga policia. Ky i fundit është personi që morri përsipër vrasjen e Ndocit në Koridhalo disa ditë më parë. Xhuliano Halili 41 vjec, i njohur si “Niko” rezulton i dënuar për vrasjen e babë e bir, Fillim e Oligert Mesaja, 35 e 2 vjec në vitin 2011 në Kalamata. Vrasja atëherë ishte porositur nga krimineli famëkeq grek Vasilis Varelas për larje hesapesh. Në janar 2021, Varelas u gjet nga policia greke në një mjet “BMW” me xhama të zinj bashkë me shqiptarin Alket Rizai. Të dy kishin dalë me leje nga burgu.

Alfons Ndoci i penduar? “Zougla”: “Kemi dëshmi të tij”

Sipas medias greke “Zougla”, Alfons Ndoci, para se të vritej, me sa duket nga frika se mund t’i ndodhte diçka e rëndë, ishte kujdesur që të niste tek “Zougla” bisedat e regjistruara mes tij dhe një partneri kontraktor në Mykonos. Media greke pretendon se i ka këto regjistrime por ende nuk i ka publikuar. E njëjta media hedh dyshime se vrasja e Ndocit është lejuar nga gardianët e burgut pasi nga pamjet e siguruara prej saj del se Xhuliano Halili dhe Etem Hoxha dalin të armatosur me thika nga zyra e kryegardianit Lamropoulo dhe janë lejuar të kalojnë sektorin nga gardiani Kokkinakis i cili u ka hapur portën. Sapo ai e ka mbyllur sërish atë, dy shqiptarët kanë sulmuar Alfons Ndocin./TCH

M.Q./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:

    A besoni se SPAK do të bëjë drejtësi për 21 janarin?



×

Lajmi i fundit

FOTO/ Juventusi prezanton fanellën e sezonit të ri

FOTO/ Juventusi prezanton fanellën e sezonit të ri