Vrasja e Nikulajt, Report Tv siguron dosjen, organizatori Haxhia përdori të fejuarën si ‘ndërmjetëse’ për kthimin e makinës me qira dhe blerjen e motorit

Përfshirja e 4 britanikëve dhe e shqiptarit me nënshtetësi britanike, Edmond Haxhia që dyshohet se ka organizuar dhe porositur vrasjen e biznesmenit dhe politikanit të njohur Ardian Nikulaj, solli në Lezhë hetuesit britanikë. Një grup prokurorësh anglezë u pritën nga drejtuesi i Prokurorisë së Lezhës, Erjon Shehaj, për të njohur më me detaje dosjen shqiptare të atentatit ndaj Nikualjt dhe provat e pretenduara ndaj britanikëve bashkëpunëtorë.

Edmond Haxhia dhe 3 britanikë janë arrestuar deri më tani, dhe të premten e 5 majit pritet të dalin para gjykatës. Hetuesve britanikë u duhet të binden nga provat për t’i hapur ose jo rrugë ekstradimit. Një tjetër shtetas britanik,. dhe i dyshuari ekzekutor, portugezi Ruben Saravia, vijojnë ende të jenë në kërkim.

Por në dosjen që Report Tv e siguron të plotë, hetuesit shqiptarë janë të bindur se nën urdhrat e Edmond Haxhisë, portugezi ka bashkëpunuar me 4 britanikët për të eliminuar fizikisht Nikulajn në hotelin e tij në Shëngjin, pasi e mbajtën në vëzhgim për një periudhë gati 3 mujore.

Të parat prova që ndihmuan, ishin pamjet e kamerave të sigurisë. Britanikët e dyshuar, që u kamufluan si turistë dhe fjetën në hotelin Coral në pronësi të shënjestrës, komunikojnë me njëri-tjetrin. Lëvizjet e para të dyshimta të njërit prej britanikëve u kuptuan  nga kamerierët e Coral rreth 1 orë e gjysmë para vrasjes. Anglezi lëvizte sa brenda jashtë, i shqetësuar dhe fliste me celular. Kjo sjellje na habiti – shprehen kamerierët në dosjen e siguruar nga Report Tv, por që rëndësinë e këtyre veprimeve të shkujdesura e kuptuan vetëm pas ekzekutimit

Një nga britanikët, Harry Simpson, bënte pagesa ditore për qëndrimin në hotel, çfarë të lë të dyshosh se ishte në pritje për të kryer një detyrë dhe për t’u larguar, siç në fakt edhe bëri. Lidhjen e tij me Edmond Haxhinë, hetuesit e kanë të thjeshtë, pasi kanë në duar pamje nga kamerat e sigurisë së aeroportit në Rinas, ku vetë porositësi i dyshuar i atentatit, e e pret me një automjet, të cilin e kishte marrë me qira në Shkodër, edhe ky moment i fiksuar gjithashtu me pamje nga kamerat.

Në dosje, cilësohet se 2 ditë pas vrasjes më 21 prill, makinën me qira e ka kthyer në Shkodër,  një person me inicialet O.C i cili ka deklaruar para hetuesve, se këtë nder ia kërkoi një miku i tij nga Italia. Në këtë moment del në lojë e fejuara e Edmond Haxhisë, e njëjta që dyshohet se ka blerë motorin në Tiranë, që më tej portugezi e përdori gjatë ekzekutimit.

Dëshmitari ka treguar se miku i tij i dërgoi numrin e kushërirës së tij, që ishte e fejuara e Edmond Haxhisë. I riu e vijon rrëfimin duke treguar se pasi erdhi në Tiranë bashkë me një shok tjetër, u takua me vajzën në sheshin “Skënderbej”. Ajo i ka treguar parkingun ku ishte makina dhe pasi e porositi që të lante makinën para se ta dorëzonte në Shkodër, i ka dhënë edhe një 50 eurosh për shërbimin që po kryente. Kjo pjesë e dosjes hetimore, që Report tv e siguron ngre dyshime të forta se në dijeni për skenarin e vrasjes, mund të ketë qenë edhe e fejuara e Haxhisë, megjithatë, vajza pas ngjarjes është marrë në pyetje, dhe është e lirë.

Nuk dihet ende, nëse edhe kjo fejesë është pjesë e skenarit të atentatit, pasi Haxhia lidhi zyrtarisht dashurinë me të, në fund të nëntorit 2022 kur u kthye pas vitesh në Shqipëri, për të vënë në zbatim planin e vrasjes së Nikulaj, në gjakmarrje prej vitit 1996 me fisin Lekstakaj.

Rolet i të akuzuarve në vrasje
Edmond Haxhia ishte porositësi dhe organizatori i atentatit. Portugezi, Ruben Saravia ishte ekzekutori i planit, personi i shfaqur me motor dhe jelek fosforeshent i cili qëlloi për vdekje me 7 plumba biznesmenin Ardian Nikulaj, e ndërsa 4 britanikët e tjerë kishin rolin e vëzhguesit. I pari mbërriti më 14 shkurt, portugezi Saravia, që në zonën e Lezhës u shfaq si turist. Ai ka qëndruar në shtëpinë e Haxhisë, në Kakarriq. Britanikët, mes të cilëve, çifti Harry Simson dhe Harriet Bridgeman, kanë ardhur njëri pas tjetrit në kohë të ndryshme, të gjithë nën kamuflimin e turistëve, por kanë mbledhur informacione mbi lëvizjet e Nikulajt. Një prej tyre Stiven Hunt ka qëndruar për disa ditë edhe në hotelin “Coral” në pronësi të Nikulajt, siç është edhe një moment i fiksuar në kamera, kur hyn natën në hotel dhe gjen rojën në gjumë. Hunt mendohet se ka arritur të depërtojë edhe në sistemin e kamerave të sigurisë së biznesit duke i dhënë grupit mundësinë të vëzhgojë në kohë reale lëvizjet e biznesmenit. 

Historia e hasmërisë mes 2 fiseve që nisi për 1000 lekë
Hasmëria mes fisit Palaj (Lektasaj) dhe Nikulaj e ka zanafillën në vitin 1996 ku anëtarë të familjes Palaj (Lektasaj) kanë ekzekutuar vëllain e Ardian Nikulaj, pas një konflikti të çastit në një pikë karburanti për 1000 lekë karburant. Pas kësaj vrasje në Lezhë janë ekzekutuar në një atentat dy anëtarë të familjes Palaj (Lektasaj). Sot e kësaj dite kjo ngjarje e rëndë e ndodhur disa vite më parë është e pazbardhur dhe s’ka asnjë autor të dënuar nga drejtësia. Mendohet se vrasja e Nikulajt ka ardhur pikërisht në vazhdën e këtyre krimeve për gjakmarrjeje.

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 15:19
Ekspertiza e prokurorisë në vendin ku u vra Nikulaj, viktima kishte 6 plagë në gjymtyrë të ndryshme të trupit dhe në kokë

1682665576_1.jpg

Në dosjen e zbardhur të prokurorisë mbi vrasjen e biznesmenit në Shëngjin, thuhet se gjatë këqyrjes së vendit ku Ardian Niluaj u gjet i vdekur mesditën e 19 prillit brenda lokalit të tij, u gjetën 6 gëzhoja arme zjarri, 5 prej të cilave me markonim 11-56 dhe njëra me markonim 11-64, një predhë si ato model 54 e cila u gjet në karrigen ku ndodhej i pajetë viktima Ardian Nikulaj.

Po ashtu në tavolinën ku ishte gjetur Nikulaj u gjet një celular i markës ‘Iphone’ i dëmtuar për shkak të predhave të amrës si dhe një kartë SIM.

Viktima kishte dy plagë në kokë, dy plagë në trup dhe dy plagë në secilin prej krahëve të tij.

Ora 15:16
Haxhia përdori të fejuarën e tij për të blerë motorin që u përdor për vrasjen e Nikulajt, si u bë ‘pazari’ me pronarin! I dha në dorë eurot pa i kërkuar ulje çmimi

1683206329_haxhia.jpg

Report TV ka zbardhur detaje të tjera nga dosja e prokurorisë për momentin kur Edmond Haxhia dhe e fejuara e tij kanë blerë në Tiranë motorin që u përdor nga portugezi Ruben Saraiva për vrasjen e Ardian Nikulajt.

Personi i cili i ka shitur motorin tregon se është marrë në telefon nga një person i cili nuk i ishte prezantuar, por vetëm e kishte pyetur nëse ende e kishte motorin për ta shitur. Pasi ranë dakord, u takuan në zonën e njohur si ‘Kryqëzimi i 21 dhjetorit’ ku Edmond Haxhia dhe e fejuara e tij e prisnin pronarin e motorit brenda një automjeti tip “Mercedez Benz”.

Më pas kanë shkuar të shtëpinë e tij për të parë motorin, të cilin Edmond Haxhia e ka pëlqyer dhe ka vendosur ta blejë, duke e pyetur sërish për çmimin por pa bërë ‘Pazar’ për ulje.

Pasi kanë rënë dakord, është nënshkruar kontrata e shitblerjes tek një notere pranë Zogut të Zi, ku Edmond Haxhia ka kërkuar që motori të vihet në emër të vajzës që e shoqëronte duke thënë se ishte nusja e tij.

Më tej në dosjen e prokurorisë zbulohet se Edmond Haxhia ka bërë pagesën prej 1 mijë eurosh ndaj personit që i bleu motorin dhe i ka kërkuar ta priste që të kthente lekët në euro që të mos kishin probleme me kursin e këmbimit. Më pas ka shkuar në një pikë “Exchange” që ndodhej pranë zonës, ka kthyer lekët në euro dhe më pas ka bërë pjesën e mbetur të pagesës.

Ora 11:37
Vrasja e Ardian Nikulajt/ 2 prokurorë anglezë në Shqipëri, njihen me provat që implikojnë britanikët e akuzuar! Për 4 të prangosurit pritet vendim për ekstradim

Dy prokurorë britanikë kanë mbërritur në Shqipëri së fundmi për tu njohur me dosjen hetimore të vrasjes së Ardian Nikulajt më 19 prill, me provat që implikojnë personat e vënë nën akuzë të cilët janë ndaluar nga policia britanike. Sipas burimeve hetuesit anglez po zhvillojnë takime me drejtues te prokurorisë se Lezhës dhe grupin hetimor ne lidhje me këtë çështje. Autoritetet angleze kërkojnë që të njihen me provat për të vendosur me pak rreth ekstradimit të personave të arrestuar në Angli me kërkesë të prokurorisë së Lezhës.

Kujtojmë se katër persona që u shpallën në kërkim në Shqipëri u kapën dhe u arrestuan në Britani. Steven Hunt, 49 vjeç, Thomas Mithan, 35 vjeç, të dy nga Bristol, dhe Edmond Haxhia, 37 vjeç, nga Birmingham, u shfaqën në Gjykatën e Westminster të shtunën për procedurat e ekstradimit. Edhe 27-vjeçarja Harriet Bridgeman nga Bristol u shfaq në të njëjtën gjykatë të hënën, shkruan BBC. Ata u lanë në burg  dhe pritet të dalin sërish para gjykatës këtë të premte.

K.T./r.k./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    27 Nëntor, 11:43

    Si e vlerësoni vendimin e GJKKO që liroi Berishën nga arresti shtëpiak?



×

Lajmi i fundit

Ja pse 'lirimi' i Sali Berishës i gëzoi të gjithë

Ja pse 'lirimi' i Sali Berishës i gëzoi të gjithë