Mosha e re dhe mungesa e precedentëve penalë në Belgjikë e kanë shpëtuar nga burgimi i përjetshëm për vrasjen e Ardit Spahiut, Franc Gergely Çopjan, i cili në Shqipëri akuzohet për drejtim të një organizate kriminale bashkë me vëllain.
Edhe pse prokuroria kishte kërkuar dënim të përjetshëm, 25 vite burgim dha Gjykata e Krimeve të Rënda në Bruksel për 33-vjeçarin Çopja, teksa dha verdiktin pas gati 6 javësh gjyq për ekzekutimin e shqiptarit 38-vjeçar, 27 nëntorin e vitit 2020 në lagjen Molenbek të kryeqytetin belg.
Çopja u dënua si truri që organizoi dhe porositi vrasjen nga Dubai, ndërsa në argumentim gjyqtarët e theksuan mungesën e pendimit të autorit të krimit, vendosmërinë e tij dhe "gëzimin e dukshëm të shprehur për njoftimin e vdekjes së Ardit Spahiut".
Burgimit të përjetshëm nuk i shpëtoi porositësi tjetër i vrasjes Mikael Qosja, për të cilin Gjykata e Krimeve të Rënda të Brukselit nuk gjeti rrethana lehtësuese në rastin e tij. Burg përjetë iu dha gjithashtu edhe ekzekutorit Flobenc Mecjas
Në rolin e bashkëpunëtorëve dhe pjesëtarë të grupit kriminal në vrasjen e Ardit Spahiut u dënuan gjithashtu edhe Elton Roç me 20 vjet burgim, Elvis Murataj me 8 vjet burgim, ndërsa Eljo Bitri u dënua me vetëm 5 vite bnurg për shkak se ka bashkëpunuar me autoritetet gjyqësore që nga 23 nëntori 2023 dhe që atëherë ka përfituar nga statusi i dëshmitarit të mbrojtur.
Më 27 nëntor 2020, Ardit Spahiu, 38 vjeç, shtetas shqiptar, u vra në një pritë në kryeqytetin belg nga breshëri mitralozi me silenciator. Në vendngjarje u gjetën 17 gëzhoja dhe nëntë plumba goditën viktimën. Spahiu dyshohet se ishte pjesë e grupit tjetër të trafikut me qendër në Elbasan “Alibej”, që ishte në konflikt të hershëm me Çopjat.
Më 30 dhjetor 2023, Franc Çopja u ekstradua nga Dubai në Belgjikë dhe prej atij momenti ndodhen në burgun e Haren. Që nga 3 shtatori 2024 ndaj tij ekziston një urdhër arresti ndërkombëtar i lëshuar nga autoritetet shqiptare, nqë e akuzon së bashku me të vëllanë se kanë krijuar dhe drejtuar organizatën kriminale që ka trafikuar tonelatë drogë në Evropë, kanë urdhëruar dhjetëra vrasje, kanë pastruar miliona euro para, me një krah të armatosur dhe shumë të rekrutuar nga organet ligjzbatuese.
Komente








