Gjykata e Lartë rrëzoi rekursin e 5 prej autorëve që morën pjesë në vrasjen e biznesmenit Bujar Sofia, ngjarje e ndodhur në muajin shkurt të vitit 2021 pranë ‘Piramidës’ në Tiranë.
Kolegji penal la në fuqi vendimin e dhënë nga Apeli i Posaçëm në 16 shtator të 2024.
Xhuljano Visha, Leonard Xhixha, Skënder Vathi dhe Bujar Leza u dënuan me nga 30 vite burg secili, ndërsa Ernejt Shyti i cili ishte bashkëpunëtor i drejtësisë, njëherësh ekzekutor, u dënua me 7 vite heqje lirie.
Pesë të akuzuarit u shpallën fajtor për kryerjen e veprave penale “Vrasje me paramendim”, në bashkëpunim në formën e grupit të strukturuar kriminal, “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit”, në bashkëpunim në formën e grupit të strukturuar kriminal, “Grupi i strukturuar kriminal”.
Jemin Shera i cili organizoi dhe dha urdhrin për vrasjen e biznesmenit është dënuar me 35 vite burg në mungesë.
Behar Sofia, i njohur si "padron droge", u vra mëngjesin 25 shkurtit (2021) afër Piramidës në Tiranë. Vrasësi i cili u largua me biçikletë pasi e ndoqi disa metra pranë shtëpisë së tij, i preu rrugën viktimës dhe e qëlloi. I veshur sportiv, me kapele, syze e maskë anti-COVID pasi kreu misionin, fillimisht u largua në këmbë përmes urës së Lanës, më pas me biçikletë pranë kullave dhe u largua drejt Kodrave të Liqenit.
Komente









