Ekzekutimi i 37-vjeçarit Erion Mihallari mbrëmjen e së shtunës në Elbasan dyshohet se u krye nga vrasës me pagesë.

Burime për Shqiptarja.com bëjnë me dije se Mihallari, pasi është qëlluar me pistolete me silenciator me dy plumba, është goditur edhe me thikë nga autorët në mënyrë që të siguroheshin për vdekjen e tij.
 
Policia bën të ditur se po hetohet pista e vrasjes për çështje pronësie, pasi Mihallari rezulton bashkëpronar i një biznesi të fuqishëm.
 
Ai kishte ndërtuar përgjatë rrugës nacionale me Elbasan-Librazhd në vendin e quajtur Xibrakë një kompleks, hotel, karburant dhe rezulton administrator i biznesit.
 
Policia ka nisur një verifikim të dhënash mbi pronën e 37-vjeçarit që u ekzekutua në pritë. Mësohet se për pronën në fjalë ka pasur një proces gjyqësor me palët e treta.
 
Mendohet se Mihallari është ekzekutuar nga dy persona dhe dyshohet se njëri nga atentatorët ishte i veshur me uniformë policie.

Erion Mihallari, 37-vjeç, u qëllua për vdekje mbrëmjen e të shtunës në afërsi të stacionit të trenit, në Elbasan. Autorët i kishin zënë pritë Mihallarit dhe sapo ai ka zbritur nga makina tip ‘Ford’ është qëlluar për vdekje.

Policia shoqëroi nëntë persona si të dyshuar menjëherë pas ngjarjes, por asnjë prej tyre nuk është identifikuar si autor i mundshëm i vrasjes. 

Redaksia Online
l.q/Shqiptarja.com