Presidenti amerikan Barak Obama premton se SHBA-të nuk do të frikësohen përballë militantëve islamikë, një ditë pas publikimit të një video ku militantët e shtetit islamik ISIS ekzekutojnë me prerje koke gazetarin amerikan Steven Sotloff. “As mund ta imagjinojmë agoninë që po kalojnë të afërmit e Steven në këto momente. I gjithë vendi mban zi bashkë me ta”, tha Obama gjatë një konference për shtyp në Estoni ndërsa e cilësoi ekzekutimin e gazetarit një akt të tmerrshëm dhune.

“Cfarëdo që vrasësit mendojnë se mund të arrijnë duke vrarë amerikanë të pafajshëm si Steven, ata janë të dështuar, sepse e gjithë bota është e neveritur nga barbarizmi i tyre. Ne nuk do të frikësohemi. këto akte të tmerrshme vetëm sa na bashkojnë si vend dhe forcojnë vendosmërinë tonë. Ata që bëjnë gabimin duke dëmtuar amerikanët do të mësojnë se ne nuk harrojmë. Ne kemi objektiva afatgjatë dhe drejtësia do të vihet në vend”.

Ndërkaq një zëdhënës i Këshillit Kombëtar të Sigurisë tha se agjentët e inteligjencës amerikane kanë analizuar videon e publikuar një ditë më parë, ku tregohet ekzekutimi i Steven Sotloff duke arritur në përfundimin se bëhet fjalë për nje video autentike. Pas lajmit të publikimit të videos së dytë, Presidenti amerikan Barack Obama urdhëroi dërgimin e 350 trupave të tjerë në Bagdad për të mbrojtur ambientet diplomatike amerikane.

Videoja e ekzekutimit të gazetarit Sotlof ka nxitur ndërkaq irritim ndërkombëtar. Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së, Ban Ki-moon, tha se veprimi përbën një “krim të neveritshëm”. Kombet e Bashkuara janë ende duke u përpjekur për të verifikuar videon, por kanë bërë të ditur se vrasja, nëse konfirmohet, do të jetë një “brutalitet i sëmurë”-shtoi ai. Gazetari 31-vjeçar, Sotlof u rrëmbye në Siri në vitin 2013.

Ai u shfaq në një tjetër video, muajin e kaluar, ku ekstremistët e Shtetit Islamik (IS) treguan ekzekutimin me prerje koke të gazetarit amerikan James Foleyt. Një tjetër militant në videon e fundit kërcënoi gjithashtu se do të vrasin pengun e radhës, këtë herë një britanik. Lidhur me këtë, kryeministri David Cameron ka thirur sot në një takim komisionin e emergjencës, Cobra.


Redaksia Online
(g.f/Shqiptarja.com)