Ilir Selmani do të vuajë 28 vite burg për vrasjen e ish-policit Santiago Malko më 27 gusht 2019 në Tiranë. Apeli i Posaçëm la në fuqi vendimin e marrë 3 vite më parë nga Gjykata e Posaçme, edhe pse çështja u rikthye për rigjykim nga Gjykata e Lartë.
Gjatë shpalljes së vendimit nga një treshe gjyqtarësh të deleguar nga Apeli i Juridiksionit të Përgjithshëm, Selmani nuk ishte i pranishëm por u përfaqësua nga mbrojtësi ligjor, ndërsa në sallën e gjykimit ishte e ëma e viktimës.
Nga sot, Selmani është transportuar në një burg të sigurisë së lartë.
Ilir Selmani e ka mohuar akuzën megjithëse ka pranuar se ka pasur lidhje shoqërore me vëllezërit Leonard dhe Elis Duka, që SPAK thotë se janë drejtuesit e grupit kriminal që organizuan ekzekutimin e ish-policit njëherazi krahut të djathtë të kundërshtarit të tyre Ervis Martinaj.
Në 5 dhjetor 2025, Gjykata e Lartë prishi vendimin e Apelit të Posaçëm për Ilir Selmanin dhe urdhëroi rishqyrtimin e çështjes po në Apel me tjetër trupë gjykuese. Apeli i GJKKO e rishqyrtoi çështjen, ndërsa në 19 qershor të këtij viti e liroi nga qelia me masë “arrest shtëpie” Ilir Selmanin për shkak të tejkalimit të afateve të paraburgimit.
Më herët për të njëjtën ngjarje, janë dënuar me 30 vite burg Leonard Duka dhe me nga 25 vite Fatmir Hyseni, Aleksandër Manxhaku, Dritan Aga, Blendi Teta dhe Oltian Loga, ndërsa Elis Duka ka marrë pafajësi.
Santiago Malko, ish-punonjës policie, u ekzekutua mbrëmjen e 27 gushtit të vitit 2019 me breshëri plumbash në zonën e "Xhamllikut" në Tiranë, në kohën kur po lëvizte me një automjet BMW X5. Ai u largua nga detyra si polic pasi u arrestua pas një sherri për lojërat e fatit. Ishte një emër jo pak i njohur për autoritetet, i dyshuar si i përfshirë në disa ngjarje të rënda kriminale. Emri i tij doli në skenë në Tetor të 2018, ku i plagosur mbeti miku i tij Ervis Martinaj, por u lirua për mungesë provash.
Disa javë më parë, pranë banesës së Ilir Selamin që ruhet nga forca të shumta policie, u arrestua me armë Emiljano Nina, një prej personave më të afërt të Ervis Martinajt. Ky episod çoi hetuesit të dyshojnë se po tentohej një atentat për hakmarrje.
Komente








