Prokuroria e Tiranës përmes një njoftimi për shtyp ka dhënë detaje në lidhje me hetimet për vrasjen e 25-vjeçarit, Klodian Rasha nga punonjësi i policisë, Nevaldo Hajdaraj. Prokuroria deklaron se nga hetimet është arritur në konkluzionin se 25-vjeçari nuk është dhunuar.

"Kryerja e veprimeve hetimore në drejtim të mekanizimit të ngjarjes, dhe identifikimit të përgjegjësisë penale të autorit, ku deri në këtë njoftim, shprehemi të bindur se veprimet hetimore në lidhje me këto rrethana janë në përfundim të tyre, dhe mekanizmi i ngjarjes është i qartë dhe i zbardhur në mënyrë të plotë, dhe do reflektohet me ndryshimin e kualifikimit ligjor të veprës së kryer", thuhet në njoftim.

Gjithashtu prokuroria thotë se po punohet për identifikimin e armës së gjetur dhe rrethanat se si ajo është gjetur.

"Grupi hetimor, krahas hetimit në lidhje me identifikimin e mekanizimit të ngjarjes si dhe të përgjegjësisë ligjore te autorit të ngjarjes, ka kryer dhe është në vijim të kryerjes të veprimeve hetimore që kanë për objekt identifikimin e autorësisë të armës te zjarrit të gjetur në Rrugën ‘At Zef Valentini’, si dhe mekanizimit te rrethanave te gjetjes së saj", vijon njoftimi.

Prokuroria thotë se hetimet janë kryer nga një grup i përbërë nga shërbimet e policisë gjyqësore të strukturave të Shërbimit të Çështjeve të Brendshme dhe Ankesave, Drejtoria, Tiranë, në drejtimin e Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkalles se Pare, Tiranë.

Hetimet sipas prokurorisë janë realizuar në mënyrë shteruese, ezauruese, efikase, të pandikuara dhe pa pjesëmarrjen në kryerjen e këtyre veprimeve te, të shërbimeve të strukturave të Policisë së Shtetit.

 "Mekanizmi i ngjarjes është i qartë dhe i zbardhur në mënyrë të plotë, dhe do reflektohet me ndryshimin e kualifikimit ligjor të veprës së kryer", bën me dije prokuroria.

Jemi në rang të kryerjes së veprimeve të plota hetimore, dhe garantojmë opinionin publik për pavarësinë e tyre, në respektim të plotë të normave procedurale në fuqi.

Shprehim gatishmërinë tonë në përmbushjen e detyrave kushtetuese, duke i kërkuar opinionit publik, medias vizive dhe asaj të shkruar, dhe veçanërisht familjarëve të të ndjerit Klodian Rasha, besim të plotë në një hetim objektiv dhe të shpejtë, me qëllim vënien në përgjegjësinë e duhur penale të autorit dhe dënimin e tij sipas ligjit.

Klodian Rasha u vra në ngjarjen tragjike të mëngjesit të datës 8 dhjetor, kur 25 vjeçari është qëlluar për vdekje me armë nga polici Nevaldo Hajdaraj.

Ngjarja e rëndë solli reagime dhe protesta të shumta, të cilat degjeneruan në dhunë dhe shkatërrime në Tiranë dhe qytetet të tjera të vendit.

Si pasojë e kësaj ngjarjeje dha dorëheqjen ministri i Brendshëm Sandër Lleshaj. Ndërkohë, që një ditë më parë, qeveria mori vendimin duke i siguruar 61 mijë lekë pension mujor.

Njoftimi i prokurorisë së Tiranës